Arbëri

LDK-ja që e bëri Thaçin president tash thotë që ai s'përfaqëson unitetin e popullit

Përmes një komunikate për media Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk përfaqëson unitetin e popullit dhe nuk garanton funksionimin kushtetues të institucioneve.

Sipas LDK-së këtë më së miri e tregon sjellja e tij gjatë këtij viti, transmeton Koha.net.

“Presidenti Thaçi nuk përfaqëson unitetin e popullit dhe nuk garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës. Presidenti Thaçi me sjelljet e tij gjatë vitit 2017 ka treguar qartazi se nuk përfaqëson unitetin e popullit, siç ia kërkon kushtetuta”, thuhet në komunikatë.

LDK-ja shton se këto sjellje përfshijnë:

· Ndërmjetësimin e tij në ndërtimin e koalicioneve para dhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare;

· Pjesëmarrjen direkte e tij në fushatën parazgjedhore në zgjedhjet lokale;

· Diskursi iracional i tij duke thirrur qytetarët e Kosovës që të pajisen me pasaporta të Shqipërisë si kundërpërgjigje ndaj institucioneve të BE-së;

· Thirrja e tij që qytetarët e Kosovës të protestojnë para zyrave të BE-së në Prishtinë për shkak të mos liberalizimit të vizave.

· Diskursi i papranueshëm publik që ai ka përdorur ndaj bashkësisë ndërkombëtare lidhur me Gjykatën Speciale.

· Roli i tij negativ në politikën e jashtme duke rrezikuar njohjet e arritura me shumë mund dhe duke dështuar në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

“Me këto sjellje, Presidenti Thaçi nuk garanton funksionim kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës. Thirrjet e tilla janë politikisht naive dhe të dëmshme për përpjekjet tona si shoqëri dhe institucione për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës”, thotë LDK.

Prandaj, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk merr pjesë në seancën ku Presidenti Thaçi i adresohet Kuvendit të Kosovës.

LDK-ja ishte ajo që e bëri president Thaçin me marrëveshjen e koalicionit që e kishte me PDK-në.