Arbëri

100 ditët e Haradinajt në 120 kopje

Kryeministri Ramush Haradinaj ua ka dorëzuar raportin 100 ditor të punës në krye të qeverisë presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, raporton KTV.

Ka thënë se kjo periudhë nuk ishte e lehtë. Kësaj here nuk ka përmendur datë për liberalizim, por ka thënë se po punojnë në atë drejtim.

Me më shumë se një orë vonesë, kryeministri Ramush Haradinaj erdhi te presidenti Hashim Thaçi, për t’ia dorëzuar raportin për punën 100 ditëshe të tij në krye të qeverisë.

Si rëndom, shkallëve u ngjit me vrap, e një kopje të raportit ia dorëzoi presidentit ende pa hyrë në zyrë.

Ceremonia vazhdoi brenda zyrave të presidencës, bashkë me falënderimet për njëri-tjetrin.

Kur presidenti u pyet për demarkacionin, u tregua shumë i rezervuar.

Pas presidentit, kryeministri ka vazhduar te kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Me vete kishte marrë 120 kopje të tjera të raportit edhe për deputetët.

Nga zyra e tij, Veseli ia garantoi Haradinajt mandatin 4-vjeçar si kryeministër.

Të dy e pranuan se kjo periudhë ishte plot sfida.

Ndryshe nga herë të tjera, s’ka përmendur datë për vizat, por ka treguar për temat që ka diskutuar me Mogherinin në Bruksel e kryeparlamentari ka përsëritur se pse Kosova duhet ta miratojë marrëveshjen për demarkacionin.

Ndërkohë, LDK-ja ka kritikuar 100-ditshin e qeverisë Haradinaj.

Sipas LDK-së, pas 100 ditësh qeverisjeje, sipas tyre kaotike, Kosova është më e izoluar, më e varfër, me papunësi më të madhe.

LDK-ja thotë se kryeministri dhe qeveria, në vend të Kushtetutës dhe ligjeve, sjelljet dhe vendimet e tyre i bazojnë në kanun dhe relikte të odave.