Arbëri

Molliqaj: Vendimi ndaj aktivistëve për sulm ndaj Kuvendit u mor me vetëm një provë

Aktgjykimi ndaj aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” për sulmin ndaj Kuvendit sipas kësaj partie mbetet proces politik. Ish-sekretari organizativ i këtij subjekti, Dardan Molliqaj, sot deputet në Kuvendin e Kosovës në Rubikon të KTV-së ka thënë se ekziston një provë e vetme mbi të cilën u dënuan aktivistët.

“Prova kryesore pse aktivistët tonë mbahen brenda është pse aktivistët tonë nuk kanë qenë duke folur në telefon në atë, e vetmja provë është pse ata nuk ka fol. Unë po them që kjo është prova në të cilën thirret dëshmia kryesore. Vetë dëshmitari në këtë gjykatë thotë se nuk mundet ta identifikoj, d.m.th ai njeri që e ka shit motorin nuk mund ta identifikoj”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj thotë se ata nuk kanë qasje në shumicën e materialeve të mbledhura. Përkrah gjykatës, njëjtë edhe Lëvizja “Vetëvendosje” ka mbledhur materiale karshi rastit.

Për këtë ish sekretari i kësaj partie thotë se nuk kanë arritur të nxjerrin ndonjë përfundim se kush mund ta ketë bërë sulmin ndaj Kuvendit.

“Nuk kemi gjetur se sepse njerëzit në motor nuk vërehen”, shtoi tutje.