Arbëri

Haradinaj: S’e kuptoj Kurtin pse tenton t’i ikën drejtësisë

Kur ishte në opozitë, partia e tij u bashkua me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nismën për të kundërshtuar dy procese të Qeverisë së atëhershme Mustafa - demarkacionin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

E tani që është në postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, thotë se nuk pajtohet me mbajtjen në burg të Albin Kurtit e të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës atëbotë në Kuvendin e Kosovës.

“Ndjekja për këtë vepër për mua është e padrejtë. Por ne iu kemi përgjigjur çdoherë thirrje të gjykatës për këtë vepër, ka qenë qëndrim i Aleancës. Atëherë deputetët nga VV nuk u janë përgjigj thirrjeve të organeve të rendit, ndërsa të AAK-së po. Është e vërtetë që kam protestuar për arrestimin e Kurtit, por ai ka qenë arrestim pa kërkesë të Gjykatës. Edhe deputetët e AAK-së kanë mbajtur burg. As atëherë e as sot nuk pajtona që zoti Kurti nuk u përgjigjet ftesave të organeve të drejtësisë dhe shkon vetëm me pranga. Nuk e kuptoj këtë. Sa i përket veprës së atëhershme, mendoj se duhet të ndalet kjo ndjekje dhe jam i gatshëm sot të jap një propozim a rezolutë dhe e përkrahi. Më habit kjo qasja e tij që të mos i përgjigjet Gjykatës. Përse e bie punën që të vijnë të marrin me pranga, atëherë nuk je fshehur, përse po fshihesh tani? Shko në gjykatë dhe mbroje prapë atë që e ke bërë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj u shpreh i gatshëm të shkojë si dëshmitar i Albulena Haxhiut pikërisht në këtë rast.

“Do të shkoja si dëshmitar mbrojtës i zonjës Haxhiu. Kam shkuar në Gjykatë të Hagës, e s’po shkoj në atë të Prishtinës”, ka thënë Haradinaj.