Arbëri

Haradinaj: Epilogu i fazës së re të dialogut me Serbinë duhet të jetë njohja reciproke

Epilogu i fazës së re të dialogut me Serbinë në Bruksel duhet të jetë njohja reciproke.

Kështu deklaroi kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë për Interaktiv të KTV-së.

“Qeveria duhet të përgatis platformë, që duhet të kalojë në Kuvend, dhe më pas Kuvendi duhet ta mandatojë Presidentin Thaçi për të zhvilluar procesin e dialogut. Tema e dialogut, sipas platformës, do të jetë njohja reciproke dhe të mos shkojë pafundësisht. Të zgjas pak javë apo muaj, por jo pafundësisht. Temat e kaluara janë konsumuar, dhe tani jemi te tema kyçe që është njohja reciproke”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj thotë se SHBA duhet të jetë pjesë e procesit të dialogut me Serbinë.

“Mendoj se në këtë fazën finale, SHBA duhet të kthehet që të jetë pjesë e dialogut. SHBA ka qenë pjesë e dialogut deri kah viti 2013”, thotë kryeministri Haradinaj.

Ai thotë se Rusia është tërhequr nga këto tema, ndërsa SHBA dhe Evropa janë pjesë e zgjidhjeve në Ballkan.