Arbëri

Havolli flet për ushtrinë, tregon se kur do të shkojë demarkacioni në Kuvend

Shefi i kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli, ka treguar se kur do të shkojë në Kuvendin e Kosovës për miratim demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi.

“Ose në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm do të procedohet në Kuvend”, ka thënë Havolli, teksa ka arsyetuar vonesat me faktin se siç ka thënë, deputetëve u duhet kohë ta studiojnë raportin e Komisionit për matjen e territorit.

Havolli ka thënë se i duhet kohë edhe opinionit që të qartësohet se nuk bëhet fjalë për humbje të territorit.

Ai i ka quajtur manipulator ata që kanë thënë se “Komisioni për matjen e territorit e bëri këtë punë duke matur shtylla elektrike”.

Havolli ka folur edhe për ushtrinë, dhe mundësinë që Qeveria u anashkalua në këtë çështje, në mënyrë të veçantë nga ana e presidentit Hashim Thaçi si sponsorizues i Projektligjit për FAK-un.

“Në fakt e ka marrë kërkesën e kryesisë së Kuvendit për të dhënë opinionin prej Ministrisë së FSK-së, Ministrisë së Integrimeve Evropiane, përputhshmëria me legjislacionin e BE-së, por edhe në kontekstin e Ministrisë së Financave rreth mbulueshmërisë së këtij Projektligji. Në momentin që do të analizohen prej ministrive, atëherë do të përcillen prej zyrave përkatëse të qeverisë”, ka thënë Havolli.

“Është shprehur edhe kryeministri çdo proces që avancon shtetësinë e Kosovës e përkrahim, është e rëndësishme që proceset dhe zhvillimi i ushtrisë ta kemi së bashku me NATO-n dhe SHBA-të. Kjo çështje është diskutuar se ne kemi qenë të fokusuar që kjo të bëhet në formë të bashkëpunimit, por është në autoritetin e presidentit që ai të bëjë propozime legjislative, si propozues nuk mund të konsiderohet se është lënë anash”, ka thënë ai.