Arbëri

ZRRE pret vendimin e gjykatës për kompensimin e qytetarëve për rrymën e paguar në veri

Kryesuesi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë elektrike Arsim Janova, është thirrur për raportim për faturimin e energjisë elektrike për qytetarët e veriut të cilën e kanë paguar qytetarët e pjesës tjetër nga ana e Komisionit për të drejtat e Njeriut.

Janova është përballur me shumë pyetje nga ana e anëtarëve të këtij komisioni mbi bazën dhe metodën e vendimit i cili është marrë nga ZRRE për mbulimin e humbjeve nga ana e KEDS, raporton KTV.

Atij gjithashtu i është kërkuar të sqarojë shumën të cilën e kanë paguar qytetarët dhe gjithashtu edhe për humbjet.

Janova është përgjigjur duke thënë se ky vendim i marrë më parë nga bordi i ZRRE-së është marrë mbi bazën e Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.

Ndërkohë Janova ka thënë se në vendim nuk është shkruar shuma të cilën e kanë paguar. ZRRE është kritikuar për arsyen se pse qytetarët nuk janë njoftuar me këtë vendim dhe kanë paguar pa e ditur fare.

Janova ka hedhur kritika ndaj institucioneve duke thënë se shteti i Kosovës nuk i ka siguruar qasje në këtë pjesë të vendit KEDS-it për shkak të mungesës së kontrollit.

Janova ka thënë se tashmë qytetarët nuk janë duke paguar për veriun. Derisa ka thënë se po presin që gjykata të vendos nëse duhet të kompenzohen qytetarët për pagesat që i kanë bërë me vite.