Arbëri

Vulin: Nuk mund të ketë asnjë forcë të armatosur në Kosovë përveç KFOR-it

Ministri i Mbrojtjes në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, thotë se KFOR-i do të mbetet e vetmja forcë ushtarake në Kosovë, dhe siç thotë ai në Metohi.

Vulin shtoi se çdo rezultat tjetër do të përfaqësonte vetëm “problem serioz për sigurinë e gjithë rajonit”, përcjell b92, transmeton Koha.net.

Ai ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se ‘Ushtria e Kosovës do të bëhet deri në mars’, ndërsa Vulini tha se kjo “mbetet vetëm një dëshirë e vjetër e Haradinajt”.

“Duke u bazuar në Rezolutën 1244, është mjaft e qartë se e vetmja forcë e armatosur në Kosovë e Metohi do të jetë KFOR-i, e ky është edhe qëndrimi i Serbisë i cili nuk do të ndryshojë”, tha ai.

Vulini theksoi se nuk është e mundur të formohet asnjë lloj tjetër ushtrie në Kosovë me, siç thotë ai, forcë dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare e duke shkelur Rezolutën 2244.

“Formimi i Ushtrisë së Kosovës jashtë Rezolutës 1244 do të ishte një problem shumë serioz për shkeljen e sigurisë në gjithë rajonin. Kjo s’mund të ndodhë se atje nuk ekziston një shtet”, tha ai.

“Edhe një herë po paralajmëroj që Rezoluta 1244 duhet të respektohet. Ky është qëndrimi i popullit tonë. Në Kosovë nuk mund të ketë ushtri e asnjë forcë tjetër të armatosur përveç KFOR-it”, përfundoi Vulini.