Arbëri

Lumezi në Kroaci, viziton institucionet e larta shtetërore të drejtësisë

Descriptive Text

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kroaci, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, së bashku me Prokuroren e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) Drita Hajdari, në mbështetje të Projektit SAEK 2-UNDP, kanë vizituar Prokurorinë e Shtetit të Kroacisë, ku janë takuar me Kryeprokurorin e Shtetit atje Dinko Cvitan, me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial Drazhen Jeliniq si dhe me drejtuesen e USKOK, Tamara Laptash.

Lumezi dhe Cvitan kanë diskutuar për sfidat dhe vështirësitë e të dyja shteteve në fushën e sundimit të ligjit, me theks të posaçëm për veprimtarinë e zyrës së specializuar për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kroaci, e cila ka treguar sukses të madh gjatë procesit për anëtarësimin e Kroacisë në BE.

Gjatë takimit, sipas komunikatës, u bisedua edhe për metodat e hetimeve financiare si dhe për praktikat me të mira në bashkërendimin e veprimeve ndërinstitucionale për identifikimin dhe qarkullimin e të dhënave financiare.

Gjithashtu, Lumezi dhe Cvitan, janë pajtuar që është e nevojshme që të ngrihet bashkëpunimi në mes të shteteve të rajonit për të intensifikuar dhe hetuar grupet kriminale transnacionale, si dhe për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën penale.

Ata kanë diskutuar edhe për strukturën organizative, kompetencat, rolin dhe funksionimin e Prokurorit të Shtetit, në veçanti për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu, ata kanë diskutuar për rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit në mes të Shtetit të Kosovës, dhe asaj të Kroacisë.

Dy Kryeprokurorët janë pajtuar që në të ardhmen të kenë bashkëpunim juridik, ndërkombëtar, në trajtimin e rasteve.

Kryeprokurori Lumezi u takua edhe me Kryesuesin Prokurorial të Kroacisë, Drazhen Jelinic, me të cilin bisedoi për përbërjen, funksionimin dhe ushtrimin e kompetencave të këtij Këshilli.

Po ashtu, Lumezi i shoqëruar nga Drita Hajdari, janë takuar edhe me drejtuesen e USKOK-ut Tamara Laptosh, me të cilën diskutuan për rëndësinë e krijimit të databazave dhe qasjes së Prokurorisë në të dhënat financiare, si dhe në qasjen në databazën e administratës tatimore, kadastrit, policisë dhe institucioneve financiare të cilat do të ndikonin në arritjen e rezultateve më të mira në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.