Arbëri

VV e LDK nuk mbështesin formimin e Komisionit për MSA-në, thonë se pozita po bën shkelje

Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur sot gjatë ditës në lidhje me formimin e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, pasi ka filluar mbledhja, është larguar nga aty me arsyetimin se u vendos me mbivotim që komisioni për Stabilizim Asociim të udhëhiqet nga pozita.

“Kjo është e gërditshme dhe e shëmtuar që nënkryetari i PDK-së t’i udhëheqë tri komisione të rëndësishme. Do ta shqyrtojmë me LDK-në se si do të veprojmë më tutje, nëse do të vazhdojmë të jemi pjesë e komisionit”, ka thënë Konjufca.

Ndërkaq, Grupi Parlamentar i LDK-së, përmes një komunikate për media, ka kërkuar që të respektohet Rregullorja e Kuvendit lidhur me Komisionin Parlamentar për MSA – në.

“Sot në Kryesinë e Kuvendit, u diskutua për themelimin e Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim Asociim. Në kundërshtim me çdo praktikë parlamentare, shumica parlamentare me mbivotim e caktoi përbërjen dhe kryesimin e delegacionit. Sipas praktikës për themelimin e komisioneve parlamentare, përbërja e komisionit duhet të reflektojë madhësinë e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, kryesuesi dhe zëvendës-kryesuesit e këtij komisioni duhet të caktohet sipas formulës që përdoret në shpërndarjen e kryesimit të komisioneve parlamentare”, thotë LDK në këtë komunikatë, raporton Koha.net.

Sipas LDK-së, çdo formë tjetër e caktimit të anëtarëve, kryesuesit dhe zëvendës-kryesuesve të këtij komisioni parlamentar “bie në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe nuk do të përkrahet nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se ky komision është i rëndësisë së veçantë. “Prandaj, përbërja dhe kryesimi i tij duhet të reflektojnë një koncensus të përgjithshëm politik të forcave politike në Kuvendin e Kosovës”, është shprehur LDK.