Arbëri

Jashari: Me pagesën e rrymës për veriun janë shkelur 4 ligje

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione po diskutohet raporti me rekomandime të Avokatit të Popullit, në lidhje me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka prezantuar gjetjet rreth pagesës së rrymës në veri nga pjesa tjetër e vendit dhe që është 4.5% e çdo fature.

Ai ka bërë të ditur se me këto veprime është bërë shkelja e 4 ligjeve që janë në fuqi.

“Ne kemi kërkuar që pagesa e rrymës e bërë në veri të kthehet në formë kompensimi duke ulur tarifat në mënyrë që të eliminohen mundësitë që të mos dorëzohen padi në gjykata. Edhe pse vendimi është i plotfuqishëm, ne kemi kundërshtime nga ZRRE-ja dhe KEDS-i. Sipas të dhënave, vlera e pagesës brenda një viti është 8 milionë euro. Arsyetimi i ZRRE-së ka qenë që KEDS-i ka mundur të falimentojë dhe për pasojë të ketë krizë energjetike, mirëpo kur kemi kërkuar që të shohim bilancin financiar të KEDS-sit, nuk na kanë dhënë. Ne kemi propozuar që pagesa e rrymës në veri të bëhet nga Fondi për Zhvillimin e Veriut e jo nga Buxheti i Kosovës. Përndryshe ne kemi dërguar padi në gjykatë për kompensim moral. Derisa humbjet komerciale janë vjedhje të energjisë, më ka çuditur fakti se pse ZRRE-ja dhe KEDS-i nuk kanë dërguar padi në gjykatë”, ka thënë Jashari, raporton KTV.

Deputetët në këtë komision janë interesuar nëse ka pasur marrëveshje të fshehtë, por Jashari ka bërë të ditur se me këtë pjesë nuk janë marrë ata në këtë raport, por që për këtë çështje do të merret gjykata.

Komisioni ka përkrahur rekomandimet e Avokatit të Popullit ndërsa është aprovuar kërkesa që në mbledhjen e ardhshme të ftohet ZRRE.