Arbëri

Franca ndan 66 milionë euro për prodhim të rrymës nga ujërat e zeza

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar ambasadorin e Francës, Didier Chabert, për të diskutuar aspekte të ndryshme të marrëdhënieve bilaterale mes Francës dhe Kosovës, në veçanti perspektivat e bashkëpunimit teknik dhe ekonomik.

Përmes një komunikate për media, Ambasada e Francës në Kosovës, ka thënë se ky vend, që është lider botëror në sektorin e trajtimit të ujërave, i ka vënë në dispozicion të Kosovës 66 milionë euro për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza dhe kogjenerimin e energjisë përmes llumit, në Prishtinë dhe katër komuna tjera.

“Kjo marrëveshje midis dy shteteve është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës dhe të dy qeveritë kanë vendosur, me marrëveshje të përbashkët, për të themeluar një Komitet Drejtues për të siguruar zbatimin dhe menaxhimin e saj duke marrë parasysh shtrirjen e saj kombëtare dhe natyrën e saj specifike”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së Francës, raporton Koha.net.

Kryeministri dhe ambasadori i Francës u pajtuan të mbajnë një mbledhje të këtij komiteti në ditët në vijim, për të caktuar etapat konkrete të këtij projekti.

Në fakt, ky impiant i trajtimit të ujërave dhe mbeturinave do të mundësojë pastrimin e pellgut të lumit Sitnica, dhe do të ketë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e popullatës, qasje në ujë dhe ambient dhe do të kontribuojë, përmes djegies së llumit, për të siguruar një prodhim shtesë të energjisë elektrike në vend.

Ky projekt do të mundësojë gjithashtu transferimin e njohurive dhe teknologjisë në favor të Kosovës.