Arbëri

Gjermania ndihmon Kosovën me rreth 13 milionë euro

Me afër 13 milionë euro ndihmë nga Gjermania, Kosova ka mundësi të riintegrojë të kthyerit nga migrimi, të zhvillojë projekte në arsim, rini dhe punësim, e që përkojnë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Kështu u tha këtë paradite me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim teknik për vitin 2017 nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Chrisitian Heldt, përcjell kp.

Ambasadori Heldt, tha se nënshkrimi i marrëveshjeve të arritura ditëve të fundit mes dy shteteve, ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin ekonomik.

Ai ka përmendur mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë për Kosovën, teksa ka theksuar se synojnë ta mbështesin në vazhdimësi në shumë aspekte, me theks të veçantë në fushën e arsimit.

Ndërsa përmes këtyre marrëveshjeve, sipas tij, do të rriten mundësitë për punësim.

“Për të përmendur qëllimin e marrëveshjeve të sotme, në vitin 2014 pati migrime të njerëzve për të gjetur një jetë më të mirë, dhe duke u nisur nga fakti se një pjesë e madhe e tyre nuk mund të qëndronin në Gjermani, ata patën probleme kur u rikthyen për shkak të raporteve të afërta të vendeve tona, Qeveria gjermane e ka parë të arsyeshme të ndihmojë Kosovën në procesin e riintegrimit të tyre. Në vitin 2016 filluam projektin për të ndihmuar të rikthyerit. Qëllimi ishte që atyre t'iu jepet një rast i ri pas rikthimit të tyre. Në këtë mënyrë do të rriten mundësitë për punësim. Pra qëllimi i Qeverisë të Gjermanisë është që të rritet zhvillimi ekonomik”, u shpreh ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se këto mjete janë një grant i dhuruar nga taksapaguesit gjermanë për Qeverinë e Kosovës, mjetet e të cilit do të shfrytëzohen për projekte të ndryshme si në arsim, rini dhe punësim.

Ai theksoi se kjo marrëveshje e thekson edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë në rrafshin financiar dhe teknik për Kosovën, si dhe në rrugën drejt integrimit sa më të shpejt në BE. Ndërsa ka falënderuar taksapaguesit gjermanë dhe shtetin gjerman për mbështetjen e dhënë.

“Sot ne po nënshkruajmë një marrëveshje shtesë për vitin 2017 me Qeverinë gjermane, në vlerë prej 12 milionë e 950 mijë euro, për mbështetjen e disa projekteve në fushën e bashkëpunimit teknik. Dëshiroj t’iu informojë se këto para janë grant, të cilat nuk kanë nevojë që t’i kthejnë qytetarët e Kosovës... Marrëveshja të cilën e nënshkruam sot do të përdoret për mbështetjen e projekteve si në vijim: arsimi, rinia dhe punësimi. Projekt i cili ka për synim të rrisë numrin e të punësuar dhe riintegrimin e të kthyerve. Gjithashtu me këtë projekt parashihet edhe hartimi i strategjisë të dhe planet e veprimit kombëtar për riintegrim”, tha ai.

Promovimi i zonave private, zhvillimi i kapaciteteve në arsimin fillorë në Kosovë, me fokus të veçantë zhvillimin e proceseve menaxhuese, sipas Hamzës do të jenë disa projekte të tjera të cilat do të realizohen në kuadër të kësaj marrëveshje.

Sipas tij, realizimi i këtyre projekteve ka rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit.