Arbëri

Çka tha Haradinaj rreth mos-përmbushjes së premtimit të tij për vizat

Në ditën e nëntëdhjetedytë në krye të Qeverisë, Ramush Haradinaj ka dhënë një afat të ri për liberalizimin e vizave.

Pasi pranoi që premtimi i tij për lëvizjen e lirë të kosovarëve në “zonën Schengen” brenda 3 muajve të parë të qeverisjes së tij, nuk u përmbush, shtoi se ky proces nuk mund të shkojë në pakufi, raporton KTV.

Këtë herë, Haradinaj tha se liberalizimi i vizave është çështje muajsh.

Pas vizitës së fundit në Bruksel tri javë më parë, Haradinaj paralajmëroi edhe një tjetër më 18 dhjetor.

Atje tha se nuk do të marrë pjesë në takime ku nuk respektohet Kosova.

Më 17 nëntor në Bruksel, kryeministri Haradinaj kishte zhvilluar një takim të tensionuar me përfaqësuesen së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini.

Kjo e fundit ishte raportuar se e kishte lëshuar nervozuar takimin dhe kishte anuluar konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës.

Në tremujorin e Qeverisë Haradinaj, Lidhja Demokratike ka renditur një varg kritikash për të, duke thënë se ajo po i bën dëm të pariparueshëm politikës së jashtme.

Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se “Qeveria po bën lojëra për konsum me çështjen e demarkacionit, duke e vënë në rrezik të ardhmen e qytetarëve, lëvizjen e lirë të tyre dhe partneritetin me SHBA-në dhe vendet e tjera mike.”

Ndërsa në komunikatë është përmendur edhe numri i madh i zv.kryeministrave, ministrave dhe zëvendësve të tyre.