Arbëri

Bytyqi: Nuk guxojmë të tolerojmë tutje që të kemi gjuhë diskriminuese në Tekstet Shkollore

Descriptive Text

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mori pjesë në prezantimin e raportit të Organizatës Joqeveritare YIHR - Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut “Gjuha Diskriminuese në Tekstet Shkollore - analizë e teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë”.

Ministri me këtë rast ka thënë se MASHT-i është e gatshme që të bashkëpunojë me të gjitha organizatat dhe të interesuarit tjerë, të cilët janë të angazhuar në eliminimin e gjuhës diskriminuese në tekstet shkollore, në mënyrë që të kemi tekste sipas standardeve më të larta evropiane.

Ai ka theksuar se jemi të vetëdijshëm që kemi një numër të madh të librave të cilat kanë nevojë për ndryshim dhe të cilat fatkeqësisht përmbajë fjalë dhe fjali diskriminuese.

Bytyqi po ashtu tha se MASHT-i ka komisionin i cili vazhdimisht është duke punuar dhe përveç punës që është duke u bërë në kuadër të Ministrisë, ekziston dhe një bashkëpunim i ngushtë me të gjitha organizatat që po e ndihmojnë MASHT-in në këtë drejtim dhe Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, ndërkaq shprehu besimin e tij që deri në vitin e ardhshëm shkollor do të hartohen tekstet e reja, konform Kurrikulës së re.

“Nuk guxojmë të tolerojmë tutje që të kemi ndarje të kategorive të caktuara në tekstet tona shkollore dhe nuk guxojmë të lejojmë që të rinjtë tanë të marrin një edukim, i cili mund të jetë fyes ose diskriminues për një pjesë të caktuar. Të rinjtë tanë kanë nevojë që të ndihen të barabartë në procesin e tyre të edukimit”, është shprehur ministri Bytyqi.

Parametrat e kësaj analize janë të bazuar në gjininë dhe seksualitetin, kombin, etninë, racën, të drejtat e njeriut dhe qytetarinë, trupin dhe aftësinë, diversitetin dhe barazinë shoqërore. Pas prezantimit të këtij studimi, Bytyqi i është përgjigjur pyetjeve të të rinjve dhe të mediave lidhur me politikat e arsimit karshi zgjidhjes së këtij problemi.