Arbëri

Kajtazi: Anëtarët e “Syrit të popullit” miq të Thaçit të zhgënjyer nga ai

Descriptive Text

Situata e krijuar nga sulmi ndaj avokatit Azem Vllasi është si pasojë e zhgënjimit të atyre personave ndaj presidentit Hashim Thaçi, ka shprehur bindjen gazetari Vehbi Kajtazi. Në këtë rast atentatori tashmë është në paraburgim, Murat Jashari.

“Janë njerëz dhe miq të z. Thaçi, por janë ndarë për shkak të një lloj zhgënjimi të madh që kanë pësuar nga ana e tij”, ka thënë ai.

Dikur pjesë e strukturave të LPK-së dhe pjesë kyçe e logjistikës në UÇK ishte Murat Jashari. Gazetari Vehbi Kajtazi thotë se ky nuk është një njeri i trajnuar për të vrarë njerëz mirëpo idealizmi dhe zhgënjimi ndaj strukturave ku bënte pjesë ka bërë që sot ai të jetë në këtë pikë.

“Jashari është pjesë e strukturave të LPK-së shumë kohë më parë. Ka qenë pjesë kyçe e logjistikës së UÇK-së. Nuk kemi të bëjmë me një person që nuk ka pasur kurrfarë ndikimi. Nuk është njeri i trajnuar për me vrarë njerëz por ka ardhur në atë pikë sa është i gatshëm të vrasë njerëz me bindjen se ai sot është Avni Rrustemi e këta janë Esat Pashë Toptanët”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi thotë se hetimi duhet të zhvillohet në Zvicër duke qenë se atje është zhvilluar organizata dhe janë mbledhur paratë. Kajtazi thotë se pjesë e grupit janë edhe Gafurr Elshani e Sadri Ramabaja.

“Hetimi duhet të zhvillohet në Zvicër sepse atje është shtrirë dhe janë mbledhur paratë. Grupi, prej asaj që kam përcjellë unë, ky individ ka përkrahje edhe nga njerëzit në Kosovë, të cilën vazhdimisht në deklarime publike siç është facebooku”, ka thënë Kajtazi. “Sadri Ramabaja para pak kohësh ka pasur një deklarim të tillë”, ka thënë ai.