Arbëri

Çavushoglu: Kultura shqiptare është pjesë e kulturës turke dhe anasjelltas

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ishte i pranishëm në ceremoninë e vlerësimit të Ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlyt Çavushoglu, me çmimin “Doctor Honoris Causa”, të organizuar nga Universiteti “Mehmet Akif Ersoy”, në bashkëpunim me Fondacionin Maarif dhe Universitetin e Tiranës.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Meta vlerësoi kontributin e Çavushoglut dhe e cilësoi këtë iniciativë si shprehje të nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ai vlerësoi edhe rolin e madh të Turqisë në afirmimin dhe pavarësinë e Kosovës.

“Po kështu në memorien e kujtdo në botë është gdhendur fort roli shumë domethënës i Turqisë për afirmimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe për njohjen e saj ndërkombëtare. Ne vlerësojmë gjithçka që Turqia ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, në veçanti në këto tre dekadat e fundit dhe jemi thellësisht mirënjohës për këtë”, tha Meta në fjalën e tij, raporton Koha.net.

Gjithashtu, Presidenti Meta u shpreh se Shqipëria dhe Turqia zhvillojnë marrëdhënie të partneritetit strategjik dhe intensiv në të gjitha fushat e bashkëpunimit, nga ato të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, e deri tek bashkëpunimi në fushat më delikate, ato të sigurisë.

Ndërkaq, kryediplomati turk, Çavushoglu, u shpreh tejet i lumtur me çmimin që iu nda atij.

“Edhe më parë kam marrë tituj të tillë nga universitet në botë, por të marr një çmim nga universiteti që mban emrin Mehmet Akif Ersoy për mua është një ndjenjë shumë e veçantë. Ne mundohemi të jemi shembull për gjithë botën me politikat tona. Ne po marrim masa për sigurinë dhe stabilitetin e vendeve të Ballkanit. Mundohemi që të jemi afër personave të grupeve vulnerabël, t'i ndihmojë ato, duke filluar nga pjesa e papunësisë, problemet ekonomike. Ju përcjell mesazhet e presidentit Recep Tayyip Erdogan. Një Shqipëri stabile do të thotë një Turqi e fortë. Shqipërinë ne e mbështesim dhe japim ndihmën tonë për Shqipërinë mike, që është anëtare e NATO-s. Ne në Shqipëri e ndjejmë veten tonë si në shtëpinë tonë”, theksoi kryediplomati i Turqisë.

Ai tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë zhvillohen në fusha të ndryshme, si në fushën e arsimit, kulturës, ekonomisë, duke shtuar se mundohen për të rritur bashkëpunimet në të gjitha fushat.

Ministri turk tha po ashtu se kultura shqiptare është pjesë e kulturës turke, ashtu sikurse kultura turke është pjesë e kulturës shqiptare.

“Në Turqi jetojnë miliona shtetas që janë më origjinë shqiptare. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë shqiptarëve me institucionet turke që veprojnë në Shqipëri, siç është TIKA. Ne dëshirojmë që numri i studentëve shqiptarë që studiojnë në Turqi të shtohet. Fondacioni Maarif që prej një viti që është themeluar ka filluar ta tregojë veten në fushën e arsimit”, ka thënë Çavushoglu.