Arbëri

Sherifi: Nëse e votojmë demarkacionin rrëzojmë kundërshtimet që bëmë si opozitë

Bilall Sherifi, kryetari i grupit parlamentar të Nismës, ka deklaruar se kjo parti nuk do të votojë pro marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Dje qeveria e Kosovës procedoi në Kuvend marrëveshjen e vitit 2015 bashkë me një vlerësim të komisionit të ri të demarkacionit. Tani Nisma ka shprehur qëndrimin e saj duke thënë se nuk mund të gjuajë poshtë kundërshtimet që pati për këtë çështje sa ishte në opozitë.

“Nisma e ka bërë të qartë se kjo marrëveshje pa ndërruar asnjë germe po të votohej do të ishte tallje me dy vjet e gjysmë që e kemi kundërshtuar. Ne besojmë që versioni aktual i cili është nënshkruar nga ish ministri i jashtëm Hashim Thaçi në qeverinë Mustafa është i papranueshëm”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

Sherifi ka komentuar edhe deklaratat e partnerit të koalicionit, PDK-së që të votohet kjo marrëveshje si dhe ka folur nëse këto qëndrime të kundërta mund të prishin koalicionin qeverisës.

“I referohem të kaluarës pasi ata e kanë nënshkruar dhe ata nëse nuk e përkrahin një marrëveshje që e kanë nënshkruar do të ishte mrekulli. Ne me dallime kemi hy në koalicion. Tash nuk ka arsye që të ndërrojmë qëndrime. Ka dy vjet e gjysmë që është kundërshtuar kjo marrëveshje. Qeveria e kaluar e ka bllokuar duke mos e sjellë në Kuvend, ndërsa qeveria Haradinaj po e sjell për 100 ditë që deputetët ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë Sherifi.