Arbëri

Kajtazi: Shteti e dinte një muaj më parë se do të ketë “eliminime të disa personave”

“Jashari ka provuar ta vrasë Vllasin. Sido që të ketë deklaruar ai, dora terezi nuk ka. Ai ka qenë i përgatitur mirë për ta kryer aktin”.

Kështu ka thënë Vehbi Kajtazi në emisionin “Rubikon” të KTV-së.

Sipas tij, “Jashari ka qenë mik i ngushtë me presidentin Thaçi e me kryeparlamentarin Veseli sepse kanë qenë bashkë në një organizatë. Ky njeri është shumë i afërt me njerëzit e pushtetit dhe me presidentin Thaçi të cilin tashmë e ka futur në listën për vrasje. Është një listë që është bërë në Zvicër”, ka thënë ai.

Kajtazi foli edhe për organizatën Syri i Popullit dhe listën që sipas tij ekziston dhe është hartuar në Zvicër.

“Është presidenti, është kryeministri, është Limaj. Kam informacione prej asaj që është kryer një hetim por e keqja më e madhe është te dështimi i shtetit që në këtë rast nuk ka arritur të mbrojë integritetin fizik të Vllasit. Shteti ka pas informacione të paktën një muaj më herët se do të ketë eliminime të njerëzve. Ka pasur informacione se kush janë caqet e mundshme”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi potencoi se Jashari nuk është një njeri i çmendur që thjeshtë ka ardhur për të kryer një vrasje.

“Murat Jashari ka fal namazin, është kryqyar dhe e ka pirë një gotë raki, për të treguar se nuk është fetar por atdhetar”, ka thënë Kajtazi.

E në gjithë këtë, Kajtazi nuk e gjen Jasharin si një të çmendur që ka ardhur në Prishtinë për të plagosur Vllasin.