Arbëri

Mustafa i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Çështjet e brendshme nuk i diskutojmë me Serbinë

Descriptive Text

Kryeministri Isa Mustafa në samitin e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor i është kundërpërgjigjur kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq duke i bërë të qartë se për çështje të brendshme të Kosovës nuk do të diskutohet me Serbinë.

“Disa çështje që u hapën sot këtu nga Vuçiq, i konsideroj se janë çështje të brendshme të Kosovës, ku Kosova ka legjitimitet të plotë të vendosë, prandaj nuk e shoh asnjë arsye që ato t’i diskutoj këtu me juve”, tha kryeministri Mustafa në samit.

Ai ka thënë se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për agjendën e bashkëpunimit rajonal.

Në njoftimin për media të qeverisë thuhet se Mustafa, ka folur edhe për ankesat e bizneseve me procedurat shtesë me disa shtete, që krijojnë kosto të reja.

“Konsideroj se bashkëpunimi ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor është krucial për arritjen e shumë qëllimeve që janë të shtruara në kuadër të procesit të Berlinit”, ka theksuar ai.