Arbëri

Kush duhet ta udhëheqë PDK-në, përgjigjen qytetarët

Në pyetjen e bërë nga redaksia e Koha.net në rrjetin social Facebook se kush mendon qytetari se duhet ta drejtojë Partinë Demokratike të Kosovës, ka pasur mbi 1 mijë komente.

Nga opsionet e dhëna nga portali kanë qenë Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Flora Brovina, Enver Hoxhaj, Hajredin Kuçi e Memli Krasniqi, ndërsa u është lënë edhe mundësia që të zgjedhin një emër tjetër në rast se ata e vlerësojnë se do të ishte më i nevojshëm për drejtimin e partisë.

Në bazë të komenteve, vërehet se qytetarët janë të ndarë mes të gjithë kandidatëve dhe nuk mund të thuhet se njëri është përmendur më shumë se tjetri në masë.

Megjithatë, kishte të atillë që propozonin edhe emra që i mendojnë se janë të duhurit për të drejtuar partinë, si Agim Aliu (aktualisht kryetar i Komunës së Ferizajt), Ganimete Musliu, deputete, Blerand Stavileci (Anëtar i Kryesisë së partisë), Ramiz Lladrovci (Kryetar i Komunës së Drenasit), e madje edhe Bekim Jashari u përmend, ndonëse ky i fundit, që u zgjedh kryetar i Komunës së Skenderajt në zgjedhjet e fundit, nuk është anëtar i PDK-së.

Pyetjen dhe komentet e qytetarëve mund ta gjeni KËTU.

Koha.net ka nisur një seri pyetjesh për më shumë se gjysmë milioni ndjekës të saj në Facebook, në kuadër të interaktivitetit me lexuesit. Në ditët në vazhdim do të pyetet për lidershipin e partive të tjera.

Pyetjet kanë për synim vetëm të masin bindjen e qytetarëve për parinë e partive kryesore në vend, dhe kurrsesi ndonjë qëllim tjetër.