Arbëri

Meta në Medvegjë: Koha që shqiptarët dhe serbët të realizojnë bashkëpunime konkrete

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se është koha që shqiptarët dhe serbët të realizojnë bashkëpunime konkrete dhe jo të përsëriten retorikat nacionaliste.

“Njerëzit kanë nevojë për shpresë, kanë nevojë për besim, se fëmijët e tyre mund të rriten në Medvegjë, mund të rriten në Bujanoc, mund të rriten në Preshevë, në zona të tilla dhe kjo është një sfidë që ne duhet ta fitojmë në emër të kësaj të ardhmeje. Përndryshe këto zona do të vazhdojnë të braktisen dhe jam i sigurt që askush nuk do të ndihet i fituar”, tha Meta.

Në një intervistë për tv Klan, Presidenti theksoi se sfida e vërtetë që kanë shqiptarët dhe serbët në mënyrë të veçantë, por i gjithë rajoni, që është pikërisht përpjekja për të fituar kohën e humbur.

“Kohën e humbur nga konfliktet nga retorikat nacionaliste, nga populizmi i liderëve dhe këtë mund ta fitojë vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë dhe konkret. Është koha për të realizuar bashkëpunime konkrete dhe jo për të përsëritur retorikat nacionaliste”, theksoi Meta.

Është hera e parë në Medvegjë që shprehet optimizëm për vizitën tuaj këtu. Pse ishte gjithë ky optimizëm?

Faleminderit që edhe ju keni bërë gjithë këtë rrugë për të qenë sot këtu dhe për të pasqyruar edhe këtë vizitë. Besoj se ka arsye për të pasur optimizëm, kur shohim këtë bashkëpunim midis serbëve dhe shqiptarëve këtu në Medvegjë. Këtë mikpritje të përbashkët, por edhe këtë angazhim të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin, për të forcuar bashkëjetesën dhe për të parë drejt së ardhmes, në mënyrë që kjo komunë të ketë perspektivë dhe të mos braktiset më as nga serbët dhe padyshim as nga shqiptarët.

Çfarë mund të bëhet konkretisht për Medvegjën? Takuat edhe përfaqësuesit e shqiptarëve këtu, cilat ishin premtimet nga Tirana?

Ne kemi pasur një takim shumë të përzemërt edhe me drejtuesit e pushtetit vendor, si përfaqësuesit serbë, kryetari i komunës apo kryetari i këshillit të komunës, ashtu edhe nga përfaqësuesit shqiptarë, nënkryetarja e komunës znj. Leme Xhema dhe përfaqësuesit shqiptarë në këshillin e komunës dhe kemi rënë dakord për të rritur shkëmbimet midis Komunës së Medvegjës dhe institucioneve në Shqipëri dhe bashkive të Shqipërisë.

Unë e kam ftuar Kryetaren e Komunës, nënkryetaren dhe gjithë këshillin për një vizitë në Shqipëri, në mënyrë që të bëjmë një kalendar për të ardhmen. Jam ftuar nga drejtuesit e komunës për të marrë pjesë në aktivitetet kulturore që bëhen këtu në këtë komunë, në mënyrë të veçantë ato që organizojnë shqiptarët ku vjen edhe diaspora.

Aktivitete kulturore që synojnë të mbajnë gjithnjë të gjalla traditat e shqiptarëve këtu, por edhe në aktivitetet e ndryshme, ashtu sikurse të njëjtën gjë kam bërë edhe unë për t’i ftuar, për të qenë më prezent në Shqipëri në mënyrë që ne të japim një mesazh të fortë, që Komuna e Medvegjës të jetë një shembull i bashkëpunimit, i bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe serbëve dhe të gjithë rajonin tonë.

T’i inkurajojmë shqiptarët të vazhdojnë të qëndrojnë këtu, por edhe të shikojmë çdo mundësi që jep impulse të zhvillimit ekonomik bazuar në resurset e kësaj komune dhe në dashurinë e njerëzve për vendin, për truallin e të parëve të tyre.

Shqiptarët në Serbi e konsiderojnë veten ende si pa të drejta. Kanë probleme me librat apo me shumë gjëra të tjera. Kjo vizitë mund t’i shtojë rëndësinë e të drejtave të tyre. A mund të thuhet se ka përmirësim? Keni qenë edhe si Ministër i jashtëm në Serbi...

Besoj se ka vend për të ecur drejt përmirësimit në të dyja drejtimet. Në radhë të parë unë do të theksoja rëndësinë e përmirësimit të bashkëpunimit midis vetë shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe së dyti midis shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe institucioneve të Serbisë.

Në këto dy drejtime ka vend për përmirësime, por fakti që sot unë jam në Medvegjë edhe si President i Shqipërisë, jo vetëm kaq, por fakti që jam pritur edhe pse është ditë e diel, me shumë respekt edhe bujari edhe nga drejtuesit serbë të Medvegjës, përveç drejtuesve dhe përfaqësuesve shqiptarë, padyshim që tregon se ka një vullnet pozitiv ka një dëshirë për ta shndërruar Medvegjën për të ardhmen në një komunë model të bashkëjetesës, të harmonisë, të zhvillimit të respektimit të të drejtave të njeriut dhe unë besoj se kjo gjë do të ndodhë.

Gjithmonë kur flitet Serbi-Shqipëri natyrisht në mes është çështja e Kosovës. A do ta vizitoni edhe Beogradin pas kësaj vizite këtu?

Unë Beogradin e kam vizituar prej shumë kohësh, prej dy dekadash. Kur nënkryetarja e komunës tha që unë kisha punuar për paqen në rajon prej shekujsh e vlerësova si një lapsus, por më pas kur u bë sqarimi se konsiderohej angazhimi im edhe para vitit 2000 dhe pas vitit 2000, kjo mund të konsiderohet një thënie e cila ka një të vërtetë.

Unë besoj shumë te sfida e vërtetë që kanë shqiptarët dhe serbët në mënyrë të veçantë, por i gjithë rajoni, që është pikërisht përpjekja për të fituar kohën e humbur. Kohën e humbur nga konfliktet nga retorikat nacionaliste, nga populizmi i liderëve dhe këtë mund ta fitojë vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë dhe konkret.

Është koha për të realizuar bashkëpunime konkrete dhe jo për të përsëritur retorikat nacionaliste. Njerëzit kanë nevojë për shpresë, kanë nevojë për besim, se fëmijët e tyre mund të rriten në Medvegjë, mund të rriten në Bujanovc, mund të rriten në Preshevë, në zona të tilla dhe kjo është një sfidë që ne duhet ta fitojmë në emër të kësaj të ardhmeje. Përndryshe këto zona do të vazhdojnë të braktisen dhe jam i sigurt që askush nuk do të ndihet i fituar.

Z. President, ju falënderojmë për këtë intervistë...

Faleminderit edhe prej jush, për këtë pasqyrim dhe dua të shpreh besimin tim se shqiptarët dhe serbët përmes bashkëpunimit mund të realizojnë mrekulli në këtë rajon, mund të përmbysin perceptimin që për fat të keq rëndon nga një e kaluar jo e këndshme për gjithë rajonin dhe njëkohësisht mund të bëhen motori i këtij bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimi në interes të një të ardhmeje krejt tjetër.