Arbëri

16 vjet nga fillimi i luftës në Maqedoni

Descriptive Text

16 vjet më parë, më 16 mars 2001, kërciti pushka. Dy vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, do ishin shqiptarët e Maqedonisë ata të cilët do të rrëmbenin armët, sërish nën siglën UÇK.

Ishte themeluar një tjetër ushtri, e cila do tentonte që me grykën e pushkës ta ndryshonte fatin shqiptar në ish-republikën jugosllave, aty ku elementi maqedonas prej dekadash ishte bërë dominues , e që në kushtet e reja të pavarësisë, e kishte thelluar akoma dhe më tej shtypjen e elementit shqiptar.

Shqiptarët që gjeografikisht duhej të jetonin në këtë vend, fillimisht përmes aktit më të lartë të një shteti në vitin 1991 i humbën të drejtat të cilat, formalisht, i gëzonin me kushtetutën e vitit 1974.

Edhe pse kushtetuta e vitit 1991 u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë, rrjedha diskriminuese shumëdimensional vazhdoi edhe më tutje, transmeton kp.

Po ashtu në këtë kohë Maqedoninë e përfshiu: papunësia, varfëria e skajshme, korrupsioni, krimi ekonomik dhe krizat e njëpasnjëshme ekonomike, që kishin marrë përmasa të mëdha.

Si rrjedhojë e lodhjes dhe mosbesimit që ndonjëherë mund të jetojnë bashkërisht shqiptarët dhe maqedonasit, Ushtria Çlirimtare Kombëtare vendosi që çështjen ta çojë deri në fund.

Përmes zhurmës së kësaj lufte u sensibilizua dhe mobilizua edhe faktori ndërkombëtare (përskaj atij politik shqiptar), i cili përmes përpjekjeve të ngjeshura diplomatike ndërmjet faktorit politik në pushtet, krahut ushtarak dhe atij ndërkombëtar, arritën që kësaj lufte t’i japin fund, përfundimin e të cilës e rrumbullakuan në tavolinën e bisedimeve me negociata ndërmjet palëve të infiltruar në vorbullën e kësaj lufte.

Konflikti çoi në marrëveshjen e famshme të Ohrit, që dhe sot është në diskutim, nëse është zbatuar e po zbatohet.