Arbëri

365 vota e bëjnë dallimin e Ahmetit nga Abrashi, i pari kryetar

Shpend Ahmeti është konfirmuar kryetar i Prishtinës për mandatin e tij të dytë.

Me vetëm 365 vota dallim, Ahmeti ka fituar ndaj kandidatit të LDK-së, Arban Abrashi, raporton KTV.

Pas numërimit të votave me kusht, atyre me postë e të personave me nevoja të veçanta, Ahmeti ka marrë 42 mijë e 262 vota e Abrashi 41 mijë e 897.

Pas këtyre rezultateve, kryetari aktual ka thënë se do të vazhdojë me reformat e nisura në Prishtinë në vitin 2013.

Numërimi i votave me kusht është bërë pas vendimit të së shtunës të Gjykatës Supreme, i cili rrëzoi vendimin e PZAP-së për rinumërim të të gjitha votave.

KQZ-ja ka paralajmëruar se të hënën do të shpallë rezultatet përfundimtare derisa partitë kanë afat pastaj 24 orë që të bëjnë ankesë në PZAP, para se këto rezultate të certifikohen.

Me rezultatet përfundimtare, AAK-ja ka fituar 8 komuna, LDK-ja 7, PDK-ja 5, Vetëvendosje qeveris në tri komuna dhe Nisma e AKR-ja në nga një komunë.