Arbëri

Haradinaj: Gjaku, gjuha dhe flamuri na ka mbajtur shqiptarë ndër shekuj – t’ia shtojmë edhe ekonominë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik të Diasporës Shqiptare, organizuar nga Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, në bashkëpunim me projektin e USAID-it EMPOWER Sektori Privat, në partneritet me SIDA.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast tha se gjaku, gjuha dhe flamuri na ka mbajtur shqiptarë ndër shekuj dhe tani duhet t’ia shtojmë edhe një shtyllë shumë të fortë, ekonominë.

“Ndryshe thënë, ju na mbani, na ruani, na forconi. Pra, ju, që jeni në këtë sallë. Buxheti i Kosovës është 2 miliardë, në këtë sallë ka më shumë. Ata që kanë besuar se shqiptarët gjunjëzohen, ndalen dhe nuk dinë të ecin rrugës së tyre, e kanë kuptuar me kohë se jemi popull që kemi vizion. Vizioni ynë është i vërtetë, është euro-atlantik”, theksoi Haradinaj, duke potencuar se “në këtë vizion askush nuk ka dilema, sepse jemi Evropë, por edhe kemi një miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila është e shenjtë dhe do të mbetet gjithnjë”.

Kryeministri tha se projektet dhe idetë e biznesmenëve, Qeveria do t’i zbatojë, duke numëruar tri shtylla që duhet t’i bëjë ekzekutivi për të përmirësuar klimën e sipërmarrësve dhe prodhuesve, si politikat fiskale, rendin dhe ligjin dhe logjistikën.

Ai tha po ashtu se këto ditë është marrë vendimi për lirimin e tërësishëm nga tatimet për import për lëndën e parë dhe gjysmëproduktet për të gjithë prodhuesit e vendit.

“Tashmë është definitive. Këto vendime janë në fuqi. Kemi aprovuar edhe në Komisione, ndërsa do të fillojnë të krijojnë efekt material nga data 1 janar 2018”, tha kryeministri, duke theksuar se kushdo që prodhon në Kosovë, nuk do të jetë më i pabarabartë ose në pozitë më të vështirë se prodhuesit në rajon.