Arbëri

KMDLNJ kërkon të trajtohen kërkesat e drejta të grevistëve në Burgun e Dubravës

KMDLNJ me anë të një komunikate për media ka reaguar në lidhje me të burgosurit në Dubravë të cilët janë të punësuar dhe gëzojnë beneficione që i kanë fituar me sjellje të mirë dhe punë.

Të dënuarit i deklaruan KMDLNj-së se u janë pakësuar të drejtat që i kishin më parë sikur pushimi vjetor në shtëpi (më parë ishte pushim 21 ditë kurse tani parashihen 7 ditë), si dhe moslejimi i pakove ushqimore. Të burgosurit e Burgut të Dubravës, gjatë vizitës së KMDLNj –së i kishin tri kërkesa themelore:

Që t’u kthehen beneficionet e mëparshme të fituara me punë dhe sjellje të mirë e që në të njejtën kohë do të ishte inkurajim për të burgosurit e tjerë të sillen mirë dhe ta pranojnë programin e risocializimit.

Kërkuan që çdo të burgosuri që punon dhe sillet mirë t’i falen tre (3) muaj për çdo vit të mbajtjes së dënimit, si lirim i mëhershëm.

Kanë kërkuar që Lirimi me Kusht të jetë funksional dhe që përfitues të këtij lirimi pasi t’i kenë vuajtur 2/3 e dënimit të jenë më shumë të dënuar.

“Në ndërkohë patëm rënien e qeverisë dhe kërkesa e të dënuarve nuk u trajtua deri në formimin e qeverisë së re, ndërse u gjend një zgjidhje e përkohshme për pakot ushqimore. Me formimin e qeverisë Haradinaj kërkesa e drejtë e të dënuarve të burgut të Dubravës (dhe burgjeve të tjera) ende nuk është trajtuar prandaj të dënuarit e rifilluan grevën duke i ripërsëritur kërkesat (të drejta sipas KMDLNj –së) dhe tani mbi 140 të burgosur janë në grevë pune”, thuhet në reagim të KMDLNJ-së.

Sipas KMDLNJ-së greva e të dënuarve në Dubravë i nxjerr shumë probleme Shërbimit Korrektues të Kosovës i cili nuk mban përgjegjësi për gjendjen e krijuar sepse e paralizon punën në kuzhinën e burgut, në mirëmbajtjen e pastërtisë dhe shërbimeve tjera që i kryejnë të dënuarit që punojnë e tash janë në grevë pune.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i përkrah kërkesat e drejtat të të dënuarve në Burgun e Dubravës dhe kërkon që përmes amandamentimit të Ligjit kundërshtues të krijohet një hapësirë që do të ishte e pranueshme për të burgosurit dhe të drejtat e tyre sikur që edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës të ketë përgjegjësi dhe mundësi shtesë për trajtimin e personave që meritojnë të jenë përfitues të beneficioneve.

“Ata që kanë plotësuar kushtet, kanë shfrytëzuar pushimin vjetor në shtëpi, jo më pak se 18 ditë pune. Të burgosurit që punojnë në institucionet e mbajtjes që menaxhohen nga SHKK, duhet t’i gëzojnë të drejtat e parapara me Ligjin e Punës, përjashtuar këtë lartësinë e kompensimit”, thuhet në deklaratë.

KMDLNj do t’i përkrah të drejtat e personave të privuar nga liria për aq sa kundërshtimet dhe kërkesat e të burgosurve të jenë të qeta.

KMDLNj është kundër eskalimit të situatës dhe në çastin kur situata përshkallëzohet, KMDLNj nuk do t’i përkrah këto kërkesa.