Arbëri

Sipas prokurorisë, Murat Jashari deshi ta privojë nga jeta Vllasin

Prokuroria Speciale dyshon se Murat Jashari ka dashur ta privojë nga jeta Azem Vllasin, për shkak të së kaluarës së tij politike. Në kërkesën për paraburgim të prokurorit Sylë Hoxha, të cilën e ka siguruar KTV-ja, Vllasi është paraqitur si person zyrtar, jo si avokat, por si ish-zyrtar i lartë i Lidhjes Komuniste Jugosllave. Për këtë edhe vepra penale është cilësuar si hakmarrje nga neni 396, paragrafi 2, lidhur me nenin 28, që është tentativa për të kryer një vepër penale.

"Kushdo që vret personin tjetër me qëllim të hakmarrjes ndaj personit zyrtar, për ndonjë vepër të kryer gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, dënohet jo më pak se 15 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm", thuhet në Kodin Penal të Kosovës.

I dyshuari tjetër, Avni Llumnica, dyshohet për hakmarrje në ndihmë, sepse e kishte transportuar sulmuesin, sipas Prokurorisë, duke ia ditur qëllimet e tij.

Edhe i arrestuari tjetër Arsim Ibrahimi dyshohet se ka ndihmuar Jasharin të strehohet në motelin "Fontana", pas kryerjes së sulmit, pa e regjistruar si klient të rregullt.

Tre të arrestuarit kanë nënshtetësi zvicerane.