Arbëri

Kosova në raportin e tranzicionit 2017-2018 të BERZH-it

Ekonomia e Kosovës thuhet në raport po rritet fuqishëm. Faktorët kryesorë të rritjes vazhdojnë të jenë konsumi i brendshëm dhe investimet publike në infrastrukturë. Rritja ekonomike në vitin 2016 llogaritet të jetë 3.4 për qind, pak më e ulët nga 4 për qind në vitin 2015, por vazhdon të jetë e fuqishme nga ngadalësimi që pati në vitin 2014 (1.2 për qind).

Një program i FMN-së me qeverinë e Kosovës thuhet në raport, skadoi në gusht 2017. Programi 22 mujor prej 185 milionë eurosh u miratua në korrik të vitit 2015. Në mars të vitit 2017 ai u zgjat deri në gusht për të ndihmuar vazhdimin e politikave dhe për të lejuar përparim në reformat strukturore, raporton VOA.

Megjithatë FMN-ja, thotë raporti i BERZH-it nuk dha vlerësim përfundimtar si dhe nuk bëri livrimin e rreth 15 milionë eurove të fundit të programit për shkak të mungesës së një qeverie të re pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit.

Raporti vlerëson disa nga masat e marra nga qeveria për të përmirësuar klimën e investimeve. Këtu përfshihet një ligj i ri për investimet strategjike, i cili është hartuar për të thjeshtuar procesin për investitorët dhe për të shtuar investimet e huaja të drejtpërdrejta, dhe përparimin në fushat e zbatimit të kontratave dhe prokurimeve publike.

Raporti vlerëson gjithashtu masat e marra për të lehtësuar tregtinë mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe planet për të përmirësuar lidhjet rajonale të transportit.

Ndër përparësitë kryesore për vitin 2018, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim radhit nevojën për reforma të mëtejshme për përmirësimin e klimës së investimeve. Fushat kryesore që kërkojnë vëmendje përfshijnë rritjen e ndikimit dhe efektivitetit të Këshillit Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik, forcimi i kapacitetit të Autoritetit të Konkurrencës dhe mbështetja për zbatimin e ligjit të falimentimit dhe ligjet e tjera tregtare.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se infrastruktura ndërkufitare e transportit duhet të vazhdojë të rritet. Kjo duhet të përfshijë përparimin drejt rehabilitimit dhe përmirësimit të rrugëve kryesore dhe hekurudhore ndërkufitare dhe përmirësimin e kapacitetit të agjencisë së shërbimeve për kontrollin ajror të vendit.

Kosova duhet të ruajë qëndrueshmërinë fiskale, thuhet në raport. Politikat e matura të ndjekura nga Kosova kanë çuar në uljen e borxhit publik dhe do të jenë të rëndësishme për të rritur besimin e investitorëve.