Arbëri

Ministrja Hoxha: Më shumë se kurrë na duhen gjyqtarë me integritet

Descriptive Text

Prishtinë, 15 mars - Sot, më shumë se kurrë, na duhen gjyqtarë me integritet, që me guxim dhe përgjegjësi ligjore ndëshkojnë krimin, gjyqtarë që me guxim ballafaqohen me të gjitha format e korrupsionit, pa dallim se ku shfaqet. Kështu tha ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, gjatë vizitës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Me qëllim të njohjes me të arriturat, sfidat dhe situatën në Gjykatat Themelore, thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të ngritjes së besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka zhvilluar sot një vizitë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Aty ajo është pritur nga kryetarja e kësaj gjykate, Afërdita Bytyçi me bashkëpunëtorë.

“Nga këto vizita, kemi evidentuar të arriturat dhe sfidat e gjykatave themelore, kushteve në këto gjykata, ambientet e punës dhe çështjet që lidhen me ngritjen e performancës, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Me kënaqësi konstatoj se angazhimi dhe përkushtimi i gjykatësve për sundim efektiv të ligjit nëpër gjykatat themelore është për çdo lëvdatë”, theksoi ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha u zotua se do të jetë e përkushtuar dhe këmbëngulëse në promovimin e të arriturave dhe avokuese e palodhshme e përmirësimit të gjendjes nëpër gjykatat themelore duke theksuar se prioriteti i qëndrueshëm është fuqizimi i sundimit të ligjit në tërësinë e tij.

“Sot, më shumë se kurrë, na duhen gjyqtarë me integritet që me guxim dhe përgjegjësi ligjore ndëshkojnë krimin. Gjyqtari që me guxim ballafaqohet me të gjitha format e korrupsionit, pa dallim se ku shfaqet”, theksoi Ministrja Hoxha gjatë vizitës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi vlerësoi lartë vizitën e ministres Hoxha dhe theksoi se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej në të ardhmen.

“Me gjithë sfidat, Gjykata Themelore e Prishtinës ka të arritura të theksueshme; me përgjegjësi është duke përmbushur misionin e vet ligjor, misionin e sundimit të ligjit, transparencës, duke kontribuar kështu në ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, theksoi Kryetarja Bytyçi.

Në këtë takim është vënë dukje se procesi euro-integrues është i lidhur ngushtë me fuqizimin e sundimit të ligjit, e ky sukses është i sigurt vetëm duke zbatuar ligjin, duke siguruar bashkë-angazhimin e të gjitha instancave të sistemit të drejtësisë gjithnjë duke u bazuar, ndër të tjera, mbi parimet e transparencës dhe llogaridhënies.