Arbëri

Veseli u drejtohet fëmijëve në Kuvend: Ju do ta trashëgoni këtë shtet

Descriptive Text

Sot, me rastin e Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka hapur dyert për fëmijë nga e gjithë Kosova, të cilët në sallën plenare kanë mbajtur seancë të drejtuar nga vet ata, me temën: “Fëmijët udhëheqin Kuvendin”.

Para seancës, kryeparlamentari Veseli ka pritur në zyrën e tij një grup fëmijësh përfaqësues, të shoqëruar nga drejtori i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co.

Ndërkaq në fjalën e tij të rastit në seancën e fëmijëve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ditën e sotme e konsideroi ditën më të veçantë të punës së tij në këtë institucion.

Kryeparlamentari Veseli tha se Republika e Kosovës do të jetë vend i lumtur vetëm kur fëmijët e saj do të jenë të lumtur, do të kenë shkollim të mirë, ambient të sigurt në shoqëri, mirëqenie në familjet e tyre, shëndet të mirë dhe jetë pa shqetësime.

Veseli garantoi fëmijët se së bashku me kolegët e tij deputetë, do të punojë shumë që të drejtat e fëmijëve të mbrohen në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ne do të kemi ligje përkatëse për mbrojtjen e të drejtave tuaja në edukim, kujdes shëndetësor, në mbrojtje nga format e diskriminimit, sepse të gjithë ju jeni fëmijët e Kosovës. Të gjithë jeni të barabartë. Duhet të rriteni dhe edukoheni të barabartë. Mbajeni në kujtesë këtë ditë. Ju nesër do të jenë deputetët dhe zyrtarët e rinj të shtetit të Kosovës. Ju do ta trashëgoni këtë shtet, të cilin e kemi ndërtuar ne, baballarët tuaj, me aq mund e sakrifica. Ne do të punojmë shumë që ju nesër të mund të krenoheni me ne. Ju mësoni shumë që nesër të punoni për Kosovën edhe më mirë se ne”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Lidhur me të drejtat e fëmijëve, në këtë seancë, me fjalimet e tyre kontribuuan edhe fëmijë pjesëmarrës, ndërsa në fund u miratua një rezolutë, e cila iu dorëzua kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës, UNICEF-in, Save the Children dhe KOMF në Kosovë, ndërsa të pranishëm ishin edhe anëtarë të Komisionit për Drejtat e Njeriut dhe deputetë të tjerë të Kuvendit.