Arbëri

Kosovarët në Lucern, të parët në numër për natyralizim

Descriptive Text

Vitin e kaluar, Komisioni për Burime Natyrore i Qytetit të Lucernit ka shqyrtuar gjithsejtë 531 aplikime për natyralizim. Në total, 498 morën shtetësinë e Zvicrës.

Lista e nacionaliteteve që janë natyralizuar dominohet nga kosovarët dhe gjermanët (54, respektivisht 53 sosh, nga 11 për qind secili), të përcjellë nga Italia dhe Shri Lanka (8 për qind secili), raporton “Zentralplus.ch”.

Mosha mesatare e personave në fjalë është 28.2 vjeç, shkruan komisioni i qytetit të Lucernit në një komunikatë ku ka publikuar edhe raportin për vitin 2016, transmeton Koha.net.

Komisioni raportohet të ketë shqyrtuar 71 kërkesa më shumë sesa një vit më parë.

Për shkak të mos-njohjes së gjuhës gjermane, mungesës së integrimit social e arsyeve tjera bazike, shtetësinë e Zvicrës nuk ka mundur ta sigurojë një person, ndërsa 77 të tjerëve, aplikimi për natyralizim u është suspenduar.

Arsyet për këtë suspendim ishin: probleme me financat, mungesa e integrimit socialë apo kulturor, mungesa e integrimit në jetën e punës (integrimi struktural), njohuri të pamjaftueshme për shtetin, njohuri të pamjaftueshme të gjuhës gjermane dhe shpërfillës së sistemit ligjor.