Arbëri

Qosja: Viktima të masakrës juridiko-politike të kurdisur nga dy blloqe

Akademiku dhe shkrimtari Rexhep Qosja, dënimin e sotëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes, Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, e konsideron masakër juridiko-politike.

Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Gjykata Themelore është duke u përdorur si gjykatë private prej dy blloqeve politike, që Kosovën e kanë bërë shtet privat.

Qosja ka thënë se shqiptimi i këtij dënimi u bë qëllimisht dy ditë para balotazhit në Prishtinë, pasi të gjithë bindshëm e dinë se Shpend Ahmeti do të ketë fitore të sigurt.

Ka përmendur se ky dënim është bërë pa asnjë dëshmi, ndërkaq ka shtuar se thyerja e një tulle e gjysmë dhe katër gjysmë dritareve të Kuvendit, sipas “Pronarëve të shtetit privat të Kosovës” është terrorizëm.

Tutje ka thënë se beson se populli shqiptar nesër këta viktima do t’i shpall heronj të Kosovës.

Postimi i Rexhep Qosjes në Facebook:

Sot, më 17 nëntor, në Prishtinë ndodhi një masakër juridike, që fyen rëndë drejtësinë, që fyen rëndë mendjen e shëndoshë, që fyen rëndë Kosovën.

Viktima të kësaj masakre juridike janë Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi.

Këtyre të rinjëve me moshë, të rinjëve me ide dhe të rinjëve me emrat e tyre plot kuptim e bukuri kombëtare ,dënimin ua shqiptoi Gjykata Themelore e Prishtinës, por e përdorur si gjykatë private prej dy blloqeve politike, që tani e sa vite e kanë bërë Kosovën shtet privat!

Gjykata themelore e Prishtinës ua shqiptoi dënimin Adeas, Frashërit, Egzonit dhe Atdheut dy dytë para balotazhit dhe ua shqiptoi dy ditë para këtyre zgjedhjeve komunale me shpresë se ashtu do të mund të ndikojë rrënueshëm në zgjedhjen, të paraparë të sigurtë, të Shpend Ahmetit kryetar i kryeqytetit të Kosovës-Prishtinës.

Gjykata themelore e Prishtinës ua shqiptoi dënimin Adeas, Frashërit, Egzonit dhe Atdheut për “veprën penale” me asnjë dëshmi të dëshmuar: për terrorizëm!

Pronarët e shtetit privat të Kosovës e mësuan Gjykatën Themelore të Prishtinës, që thyrjen e një tulle e gjysmë dhe katër gjysmëdritareve të Kuvendit të Kosovës, t’i quajë terrorizëm me shpresë se ashtu, me këtë marrëzi politike dhe politikologjike, në të vërtetë fashiste, do t’i rëndojë tmerrshëm të përzgjedhurit e urrejtjes së tyre politike - Adean, Frashërin, Egzonin dhe Atdheun, e përmes tyre Lëvizjen Vetëvendosje, e cila me idetë e saj, me programin e saj politik e social, me adhurimin e gëzuar në radhët e rinisë shqipëtare, po i shqetëson pamatshëm.

Besoj se populli shqiptar nuk do të pajtohet me këtë Gjykim që fryen drejtësinë, mendjen e shëndoshë dhe Kosovën, prandaj edhe do të çohet kundër tij siç u qua edhe kundër dënimit me vdekje që burgu i Prizrenit i shqiptoi Astrit Deharit.

Besoj se populli shqiptar, viktimat e kësaj masakre të sotme juridiko-politike, të kurdisur prej dy blloqeve politike, do t’i shpallë, së bashku me Astrit Deharin, heronj të Kosovës nesër.