Arbëri

Murati kërkon ligj për kufizim të numrit të zëvendësministrave

Ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, ka kritikuar qeverinë e Kosovës për emërimin e mbi 60 zëvendësministrave.

Ai ka thënë se kjo çështje duhet të trajtohet me Ligjin e Qeverisë që do të kufizonte numrin e zëvendësministrave.

Sipas Muratit, përpos barrës për buxhetin e shtetit, numri i madh i zëvendësministrave është barrë e rëndë edhe për vetë ministrat. “Një kohë e mirë ministrave u shkon t’i menaxhojë ata”.

“Rrjedhimisht asnjëherë nuk duhet që zv.ministrat të emërohen pa konsultim me ministrin, ashtu siç është praktikë tek ne. Zakonisht ministrat përmes lajmeve marrin vesh se kush iu ka emëruar zëvendës. Paramendojeni tani se çfarë detyrash mundet ministri t’u jap atyre, sidomos kur të kihet parasysh që shumica e tyre janë militantë partiakë nëpër degë, të cilët rehatohen kështu në institucionet qendrore si pjesë e pazareve politike brenda partive politike dhe në mes atyre që janë në koalicion. Kjo çështje duhet urgjentisht të trajtohet me Ligjin e Qeverisë i cili do të duhej që ta kufizonte numrin e zëvendësministrave. Andaj për ta rregulluar këtë çështje për këtë qeveri dhe për ato të ardhshmet, qeveria dhe kryeministri Haradinaj, do të duhej urgjentisht ta procedonin Ligjin për Qeverinë në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.