Arbëri

Prokurori i dosjes “Lumezi” nuk bëri hetime penale por parapenale

Prokurori Kujtim Munishi asnjëherë nuk ka zhvilluar hetime penale për dosjen e manipuluar të shefit të tij, Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Për dosjen “Lumezi”, vartësi i tij ka zhvilluar vetëm hetime parapenale, të cilat i ka mbyllur me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se ka falsifikim, raporton KTV.

Hetimi parapenal kishte nisur pikërisht duke u bazuar në përgjegjësitë që ia kishte dhënë Kryeprokurori Lumezi, përmes vendimit të datës 17 qershor 2015, ku prokurori Munishi ishte caktuar në Komision për monitorimin e raportimeve të mediave për rastet e korrupsionit.

Asokohe, Munishi, edhe pse prokuror i shkallës së parë, ushtronte përgjegjësi dhe gëzonte privilegje në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, bazuar në një vendim, i cili ishte në kundërshtim me ligjin.

Në provat e prezantuara të hetimit parapenal për dosjen e shefit të tij, të cilën e ka mbyllur prokurori Munishi, janë edhe dy libra në të cilët figuron se Aleksandër Lumezi ka paraqitur provime dy herë.

Ekipi i Kohavisionit dhe “Betimi për Drejtësi” do të vazhdojnë ditët e ardhshme të sjellin faktet dhe dëshmitë e tjera, të cilat nuk përputhen me vlerësimet dhe vendimin e prokurorit Munishi për mbylljen e këtij hetimi parapenal.