Arbëri

10 për qind e serbëve të veriut mbështesin anëtarësimin e Kosovës në BE

Banorët e katër komunave në veri nuk shohin ardhmëri në shtetin e Kosovës.

Derisa gjendja ekonomike ishte shqetësimi i tyre kryesor në vitin e kaluar, tani ata brengosen për sigurinë.

Hulumtimi i tretë me radhë i publikuar nga organizata AKTIV tregon se 78 % e të anketuarve nuk i besojnë asnjë politikani serb, e përqindja e mosbesimit rritet në 96.4 kur bëhet fjalë për politikanë shqiptarë.

Përqindje e ulët në besim mbetet edhe rreth Brukselit dhe marrëveshjeve që derivuan, derisa në diskutimin që pasoi, u tha që pak po bëhet në përmirësimin e marrëdhënieve mes njerëzve.

Ndër gjetjet e këtij hulumtimi, është edhe pasiguria e gjysmës së banorëve të komunave në veri, që shprehin publikisht qëndrimet politike.

Afër 80% e të anketuarve mendojnë se Bashkimi Evropian anon nga Prishtina në dialogun Kosovë – Serbi, ndërsa një prej të gjeturave është edhe se gati çdo i dyti i anketuar, nuk e sheh veten në Kosovë në vjetët e ardhshëm.

65 % nga 800 të anketuarve, besojnë se Rusia duhet të jetë partneri kryesor për të lobuar për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë.

Ky është hulumtimi i tretë nga kjo organizatë, që u referohet komunave Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut.