Arbëri

Synimi i Kosovës për anëtarësim në NATO, i pamundur pa u formuar FAK-u

Deri në vitin 2020, Kosova synon të bëhet anëtare e NATO-s. Por, ky synim i Kosovës nuk mund të jetësohet pa u bërë transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka thënë se në ditët në vijim do të themelohen Forcat e Armatosura të Kosovës, raporton KTV.

Për këtë proces, Veseli ka pohuar se nuk do të ketë befasi, por do të bëhet në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Ai ka premtuar zgjidhje të shpejtë për demarkacionin e kufirit me Malin i Zi.

Kryeministri Ramush Haradinaj, është shprehur se themelimi i Ushtrisë është në interes të të gjithë qytetarëve, duke ofruar edhe paqe e siguri në rajon.

Por, as Veseli e as Haradinaj, nuk kanë përmendur fare votat e deputetëve të Listës Serbe, të cilat janë të domosdoshme për t’u arritur transformimi i FSK-së në Ushtri.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO, është sfidë e së ardhmes për Kosovën.

Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Diplomaci Publike Tacan Ildem, tha se një Ballkan stabil është edhe një Evropë stabile.

Ndërsa të hënën në hapje të konferencës ka përsëritur qëndrimin se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri duhet të bëhet në bazë të ndryshimeve kushtetuese.

“Konferenca “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”, u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.