Arbëri

Vukpalaj tregon pse nuk mund të krahasohen Katalonja dhe Kosova

Descriptive Text

Për profesorin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Anton Vukpalaj, krahasimi i Katalonjës me Kosovën është legjitim vetëm nëse përmes këtij krahasimi kërkohet të kuptohet se deri në çfarë mase këto dy raste janë të ndryshme dhe të pakrahasueshme mes vete.

Në një intervistë për Koha.net, Vukpalaj flet në detaje pse këto dy raste nuk janë të krahasueshme. Flet gjithashtu për qëndrimin të cilin duhet ta krijojë Kosova në raport me pavarësinë e Katalonjës. Sipas tij, Kosova nuk duhet të udhëheqë politikën e saj me emocione.

“Sado që solidarizimi i kosovarëve me katalonjasit është legjitim për shkak të së kaluarës së tyre, marrëdhëniet ndërkombëtare janë para së gjithash çështje interesash të shteteve”, thotë Vukpalaj.

Ai thotë se Spanja u zu në befasi nga referendumi i Katalonjës për pavarësi. Kësisoj, sipas Vukpalajt, Spanja në vend se ta kufizojë veprimin e saj dhe ta shpallë referendumin të pavlefshëm, ajo provoi ta ndalonte atë me dhunë, duke i dhënë në këtë mënyrë legjitimitet.

Fryma pro pavarësisë në Katalonjë u rrit në mënyrë drastike prej vitit 2010. Profesori Vukpalaj në këtë intervistë për Koha.net flet për shkaktarët “nxitës të nacionalizmit katalonjas”.

Vukpalaj ngre paralele edhe në mes të situatës në Katalonjë dhe asaj në Skoci, me referendumin për pavarësi që ndodhi në këtë pjesë të ishullit britanik, në vitin 2014.

Duke folur për rolin BE-së në këtë mes, Vukpalaj shpreh bindjen se aspiratat kombëtare të katalonjasve, baskëve, skocezëve dhe flamanëve nuk u shuan brenda një hapësire që është BE-ja.

Koha.net: Si e konsideroni ju shpalljen e pavarësisë së Katalonjës?

Shpallja e pavarësisë së Katalonjës nga parlamenti i saj regjional paraqet një kthesë historike për sa i përket raportit Spanjë-Katalonjë. Pas një beteje të gjatë juridike me pushtetin qendror të Spanjës, Qeveria dhe Parlamenti i Katalonjës vendosën të sfidojë Qeverinë spanjolle bashkë me vendimet e Tribunalit kushtetues të Spanjës, i cili disa herë radhazi i kishte suspenduar veprimet e Qeverisë katalonjase. Kësaj radhe duket se Spanja u zu në befasi, ose së paku nuk ishte e përgatitur sa duhet, gjë që u dëshmua edhe me reagimin e saj të dhunshëm në ditën e referendumit katalonjas, më 1 tetor. Në vend që ta kufizojë veprimin e saj dhe ta shpallë referendumin të pavlefshëm, ajo provoi ta ndalonte atë me dhunë, duke i dhënë në këtë mënyrë legjitimitet. Suspendimi i institucioneve regjionale dhe përdorimi i artikullit 155 i Kushtetutës së Spanjës për të vendosur Katalonjën nën kontroll të drejtpërdrejtë të pushtetit qendror më tepër u perceptua si regres i demokracisë spanjolle sesa si solucion i krizës.

Koha.net: Pse mendoni se Spanja ishte e papërgatitur, kur e dimë se ajo është ballafaquar edhe më herët me lëvizje secesioniste siç është, ta zëmë, ajo e ETA-s në regjionin bask?

Vukpalaj: Katalonja kishte një raport tjetër fare me Spanjën, për ndryshim nga baskët. Duhet nënvizuar se katalonizmi si ideologji e afirmimit të identitetit katalonjas është konsideruar më shumë si lëvizje reformiste, e cila ka kërkuar solucion brenda Spanjës. Opsioni për pavarësi ka qenë vetëm njëra nga opsionet në mesin e opsioneve autonomiste dhe federaliste. Kjo është edhe arsyeja pse reagimi i Spanjës ndaj referendumit katalonjas të 1 tetorit të këtij viti ishte i pamatur. Kësaj situate i ka kontribuar edhe fakti se deri në vitin 2010 vetëm një numër i vogël i katalonjasve ishin deklaruar në favor të pavarësisë. Numri i deputetëve pro-pavarësisë në Parlamentin e Katalonjës kishte lëvizur nga 10, sa ka pasur në vitin 2010, në 72, në vitin 2015 (nga numri i përgjithshëm që është 135).

Koha.net: A mund të na shpjegoni pse ndodhi ky ndryshim. Cilat ishin shkaqet që shkaktuan këtë rritje të nacionalizmit ose të forcave pro-pavarësi?

Vukpalaj: Një moment i cili konsiderohet si nxitës i nacionalizmit katalonjas është një vendim i Tribunalit kushtetues të Spanjës, i vitit 2010. Qeveria spanjolle e udhëhequr nga Partia Socialiste e Spanjës (PSOE), në vitin 2006 kishte negociuar një status të ri për Katalonjën, status ky i cili e përforconte autonominë e kësaj të fundit. Ky status ishte aprovuar nga të dy parlamentet (atij të Spanjës dhe të Katalonjës). Mirëpo, me kërkesë të Partisë Popullore në opozitë, në atë kohë, ky ligj u dërgua në Tribunalin kushtetues në Madrid, i cili në vitin 2010 i kishte shfuqizuar 14 artikuj të tij, duke filluar nga dispozitat më të rëndësishme të tij, siç është njohja e “kombit katalonjas” ose përdorimi i gjuhës katalonjase në mënyrë preferenciale në administratë dhe në medie. Për katalonjasit, ky veprim i Tribunalit kushtetues u përjetua dhe u trajtua si dështim i shtetit spanjoll që të ofrojë ndonjë solucion të pranueshëm për ta. Dua të shtoj se ndërmjet Katalonjës (por edhe regjionit bask) dhe Spanjës ka një histori të gjatë betejash juridike për të ndryshuar statusin e këtyre regjioneve në Kushtetutën e viti 1978. Në vitin 2008, Parlamenti i regjionit bask kishte votuar një ligj për të organizuar një konsultim popullor mbi të drejtën e popullit bask për të vetëvendosur. Baskët kishin propozuar që ky ligj të hidhej në referendum. Tribunali kushtetues i Spanjës e kishte suspenduar atë dhe e kishte shpallur antikushtetues, duke thënë se “autorizimi për të konvokuar votuesit në konsultime popullore përmes referendumit është kompetencë ekskluzive e Qeverisë së Spanjës”. Tribunali kushtetues i Spanjës e ka suspenduar edhe Ligjin e datës 6 shtator 2017, të votuar nga Parlamenti i Katalonjës, duke e shpallur atë antikushtetues, sepse i shkel 8 artikuj të Kushtetutës, në mesin e të cilëve edhe artikullin 2, ku figuron “uniteti i pandarë i kombit spanjoll”.

Koha.net: Nëse e krahasojmë me referendumin për pavarësi të mbajtur në Skoci në vitin 2014, pse Spanja nuk i ka autorizuar katalonjasit të organizojnë një referendum të ngjashëm?

Vukpalaj: Katalonja dhe regjioni bask kanë dështuar të arrijnë marrëveshje me Qeverinë e Spanjës dhe në vazhdimësi janë ballafaquar me kundërshtimin e Tribunalit kushtetues. Britania e ka zgjidhur çështjen e referendumit të Skocisë në mënyrë shumë më demokratike. Pas fitores së partive pro-pavarësisë në Skoci, në vitin 2011, ato kërkuan nga Britania që t’u lejohet organizimi i një referendumi për pavarësi. Pas shumë negociatash, Londra ka pranuar kërkesën e tyre që referendumi për pavarësinë e Skocisë të mbahej më 18 shtator 2014. Meqenëse Parlamenti britanik është i vetmi kompetent për të shpallur referendum, një projektligj është deponuar nga Qeveria britanike në Parlamentin britanik, me qëllim që Parlamenti skocez të autorizohet të marrë të gjitha dispozitat legale për të organizuar referendumin. Kjo ka mundësuar që i gjithë procesi të jetë pa ambiguitet, sepse edhe përkrahësit e pavarësisë, edhe kundërshtarët e saj kanë mundur të bënin fushatë demokratike.

Koha.net: Të kthehemi te Katalonja. Cili mendoni se është efekti i shpalljes së pavarësisë së Katalonjës tek BE-ja?

Vukpalaj: Shpallja e pavarësisë së Katalonjës ka shkaktuar krizën më të madhe brenda Bashkimit Evropian, që nga Brexiti. Kjo ndodhi pasi që Katalonja krijoi një precedent për demokracitë perëndimore brenda të cilave deri më sot nuk ka pasur shkëputje të ndonjë regjioni. Quebeku dhe Skocia kanë votuar në referendume për pavarësi, por në të dyja rastet opsioni pro pavarësi nuk kishte arritur shumicën. Për sa i përket BE-së, shpallja e pavarësisë së Katalonjës, si dhe reagimi i ashpër i Spanjës treguan se kufijtë mbetën referencë për sovranitetin shtetëror dhe se zhdukja e kufijve të brendshëm nga BE-ja u tregua e pamjaftueshme për të përmbajtur regjionalizmat nacionaliste. Solucioni mbishtetëror i BE-së nuk është solucion i cili mund të plotësojë kërkesat e popujve të cilët kanë pretendim shkëputjeje. Aspiratat kombëtare të katalonjasve, baskëve, skocezëve dhe flamanëve nuk u shuan brenda një hapësire që është BE-ja. Ky është një tregues edhe për shtetet e Ballkanit se integrimi në BE është i pamjaftueshëm për t’i rregulluar çështjet kombëtare.

Koha.net: Sipas mendimit tuaj, cilat janë shkaqet që i shtyjnë këto regjione të kërkojnë pavarësi?

Vukpalaj: Në veprën e tij “Përmbajtja e nacionalizmit” (Containing Nationalism) sociologu amerikan, Michael Hechter, thotë se - nacionalizmi periferik lind kur një territor kulturalisht i ndryshëm i reziston nacionalizmit inkluziv të shteteve të vjetra, të cilat kanë pasur për qëllim të asimilojnë dhe inkorporojnë territore të ndryshme dhe t’i homogjenizojnë ato. Gjatë periudhës së diktaturës së gjeneralit Franko në Spanjë, Katalonja ka qenë pikërisht subjekt i tentimit të homogjenizimit të dhunshëm, gjë që u dëshmua me krime masive dhe ndalesa që të përdoret gjuha katalonjase ose të festohen festat kombëtare katalonjase. Edhe pse gjatë 40 vjetëve të fundit Spanja është demokratizuar, mbamendja kolektive mbi frankizmin është ende e freskët dhe e pranishme në Katalonjë. Argument tjetër besoj se është edhe brishtësia e shteteve brenda të cilave janë këto regjione. Zhvillimi i regjionit të Katalonjës shpesh është shpjeguar dhe perceptuar si dobësim i shtetit spanjoll dhe vështirësitë me të cilat ky përballet me krizën ekonomike të vitit 2008. Argumenti ekonomik zë një vend të rëndësishëm në shpjegimin e nacionalizmave regjionalistë. Katalonja dhe Baskia janë regjionet më të pasura të Spanjës dhe kontributi i tyre në buxhetin e Spanjës është shumë më i madh sesa përfitimi i tyre nga ky buxhet. Rëndësinë e këtij argumenti në debatin pro ose kundër pavarësisë e konfirmon edhe frika të cilën Qeveria spanjolle ka tentuar ta krijojë për të frikësuar katalonjasit se pavarësia do të ketë efekte katastrofike ekonomike, që do të shprehet si dobësim i vitalitetit ekonomik të saj krahasuar me atë që e gëzon aktualisht. Shpërngulja e disa bankave nga Barcelona në Madrid dhe spekulimet se firmat e rëndësishme do ta lëshojnë Katalonjën, po ashtu ishin pjesë e kësaj loje. Madje paradoksalisht Qeveria spanjolle e ka votuar një dekret, i cili ka për qëllim të lehtësojë shpërnguljen e firmave nga Katalonja. Argumenti ekonomik është prezent edhe te lëvizjet e tjera regjionaliste brenda (dhe jashtë) BE-së. Flamanët nuk duan të paguajnë për valonët më të varfër, skocezët kanë një zonë ekonomike ekskluzive, e cila u jep qasje në burimet e naftës në Detin e Veriut etj.

Qëndrimi i Kosovës ndaj Katalonjës duhet të jetë i matur, sepse Spanja ka qenë një ndër shtetet e para që ka marrë pjesë në bombardimin e forcave serbe në vitin 1999. Deri në vitin 2009, kur ajo ka tërhequr trupat e saj nga Kosova, ajo ka qenë kontribuuese e sigurisë së Kosovës në kuadër të NATO-s, si dhe kontribuuese në rindërtimin e Kosovës në kuadër të BE-së

Koha.net: Të ndalemi te debati rreth krahasimit mes çështjes së Kosovës dhe asaj të Katalonjës. Me të shpallur pavarësinë atje kanë nisur zërat që bëjnë krahasim mes këtyre dy rasteve. Sipas mendimit tuaj, sa është legjitim ky krahasim? A mund të krahasohen?

Vukpalaj: Krahasimi i Katalonjës me Kosovën është legjitim përderisa përmes këtij krahasimi kërkojmë të tregojmë se deri në çfarë mase këto dy raste janë të ndryshme dhe të pakrahasueshme. Specifikat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk janë të negociueshme për asnjë shtet i cili e ka njohur pavarësinë e saj. Në anën tjetër, kemi krahasime të cilat i kanë bërë kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, krahasime këto që janë bërë “për të treguar efektin domino të njohjes së Kosovës”. Qëllimi i tyre pra është të paraqesin pavarësinë e Kosovës si një “Kuti e Pandorës” për të gjitha lëvizjet secesioniste. Ky është qëllimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili të nesërmen e shpalljes së pavarësisë së Katalonjës i dërgoi letër BE-së me pyetjen “pse Katalonja jo, kurse Kosova po?”. Madje këtë pyetje e shtroi gjatë një konference për shtyp, të mbajtur me rastin e vizitës së presidentit të Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, në Beograd, me qëllim të qartë që të konsolidohet Greqia në mosnjohjen e Kosovës. Por përgjigjja i erdhi nga zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Shinas, po ashtu grek nga Selaniku, i cili tha se rasti i Kosovës është rast sui generis dhe se këto dy raste janë të pakrahasueshme...

Koha.net: Nëse Kosova nuk është precedent për Katalonjën, atëherë pse ligji i votuar më 6 shtator nga Parlamenti katalonjas i referohet vendimit të GJND-së për Kosovën?

Vukpalaj: Ky ligj, i cili numëron 89 artikujt dhe që përcakton modalitetet e organizimit të referendumit katalonjas, shpalljes së pavarësisë dhe organizimit të pushtetit të Republikës së re të Katalonjës, në faqen 2, i referohet vendimit të GJND-së për Kosovën. Fjala Kosovë nuk figuron në të, por aty thuhet se “në mendimet e fundit Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka deklaruar se gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20 ka pasur raste të shteteve të reja, të cilat kanë ushtruar të drejtën për vetëvendosje edhe pa e ushtruar këtë të drejtë për të vendosur të motivuar nga fundi i imperializmit”. Qëllimi i këtij paragrafi është të argumentohet se pavarësia mund të shpallet edhe kur ka një rend kushtetues demokratik (ai i Spanjës), pa pasur nevojë që të ketë shkelje të të drejtave të njeriut, ashtu siç e kërkon e drejta ndërkombëtare.

Koha.net: Por a është ky interpretim i drejtë i mendimit këshillues të GJND-së për Kosovën?

Vukpalaj: Unë nuk jam jurist dhe nuk mund të bëj një interpretim juridik të detajuar të këtij mendimi, por, nëse e analizojmë opinionin e GJND-së për Kosovën, atëherë konstatojmë se Gjykata i referohet disa herë kontekstit represiv, i cili i ka paraprirë intervenimit ndërkombëtar në Kosovë. Artikulli 38 i këtij vendimi u referohet 5 rezolutave të OKB-së “mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë”. Më pas, në artikullin 57 thuhet se ‘Deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008 duhet të vlerësohet në kontekstin faktik që çoi në miratimin e saj’. 26 shtete nga 40, të cilat janë deklaruar në favor të Kosovës në GJND, në mënyrë eksplicite i janë referuar Kosovës si rast sui generis, i cili nuk krijon precedent në të drejtën ndërkombëtare. Pra, mendimi i GJND-së i referohet në mënyrë eksplicite rastit të Kosovës si rast sui generis. Ky mendim pastaj i referohet, në paragrafin 58, Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila kërkon “që t’i jepet fund represionit në Kosovë”. Rezoluta 1244 përmendet në mendimin e GJND-së si rezolutë e cila nuk e ndalon shpalljen e pavarësisë, sepse në të figuron zgjidhja e statusit definitiv të Kosovës. Madje është në kuadër të kësaj dispozite që bazohet raporti i të dërguarit special të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Martti Ahtisaarit, mbi statusin definitiv të Kosovës. Në raportin të cilin ky i fundit ia dërgoi sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, më 26 mars 2007, dhe i cili procedohet në Këshill të Sigurimit të OKB-së, Martti Ahtisaari thotë se “rekomandimi im për pavarësi të mbikëqyrur (…) merr parasysh historinë bashkëkohore të Kosovës…”. Dhe të gjithë e dimë se cila ka qenë kjo histori.

Koha.net: Krejt në fund, deri tash nuk kemi dëgjuar ndonjë qëndrim zyrtar nga Kosova në raport me pavarësinë e Katalonjës. Sipas jush, çfarë qëndrimi duhet të krijojë Kosova karshi pavarësisë së Katalonjës?

Vukpalaj: Mendoj se qëndrimi i Kosovës ndaj Katalonjës duhet të jetë i matur, sepse Spanja ka qenë një ndër shtetet e para që kë marrë pjesë në bombardimin e forcave serbe në vitin 1999. Deri në vitin 2009, kur ajo ka tërhequr trupat e saj nga Kosova, ajo ka qenë kontribuuese e sigurisë së Kosovës në kuadër të NATO-s, si dhe kontribuuese në rindërtimin e Kosovës në kuadër të BE-së. Madje, pas vendimit të GJND-së për Kosovën ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Moratinos, pati deklaruar se “ky vendim mundëson njohjen e Kosovës”. Spanja nuk e ka njohur Kosovën, por mendoj se ky qëndrim do të ndryshojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Madje qëndrimi i Partisë Socialiste të Spanjës ose ajo e partisë Podemos kanë qenë shumë më të moderuara sesa ai i Partisë Popullore e Mariano Rahoy ose e Jose Maria Aznar, i cili i ka paraprirë në krye të partisë. Shteti i Kosovës nuk duhet të nxitojë me veprimet e veta karshi pavarësisë së Katalonjës dhe duhet t’i koordinojë qëndrimet me aleatët e saj duke përkrahur dialogun e brendshëm në Spanjë me qëllim që kjo çështje mos ta barrikadojë Spanjën në mosnjohjen e Kosovës në të ardhmen. Kosova nuk duhet të udhëheqë politikën e saj me emocione dhe sado që solidarizimi i kosovarëve me katalonjasit është legjitim për shkak të së kaluarës së tyre, marrëdhëniet ndërkombëtare janë para së gjithash çështje interesash të shteteve. Kosova nuk duhet ta humbë shpresën se Spanja mund të mos jetë pengesë në rrugën e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së.