Arbëri

Izetbegoviq paralajmëron njohjen e Kosovës nga Bosnja, serbët kategorikë kundër

Anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq ka thënë se BeH do të njohë njëanshëm pavarësinë e shpallur të Kosovës, një punë që kaherë është dashur ta bëjë, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.

“Sa më përket mua, Kosova është dashur deri tash të njihet. Tani kolegët tanë do të zemërohen, kurse përpjekjet tona që kjo të ndodhë vetëm kanë prodhuar probleme brenda BeH, ndërkaq nuk i kanë ndihmuar Kosovës”, i ka thënë Izetbegoviq DW.

I pyetur nëse BeH do të njohë pavarësinë e Kosovës, Izetbegoviq është shprehur shkurt: Po!

Kryeministri i Kosovës kohë më parë ka ftuar BeH të njohë Kosovën, por menjëherë kanë reaguar përfaqësuesit serbë në institucionet e këtij vendi. Ministri i Jashtëm i BeH, Igor Crnadak kishte deklaruar se BeH jo vetëm nuk do ta pranojnë, por as do ta diskutojnë pavarësinë e Kosovës, transmeton Koha.net.

“Në BeH nuk do të njihet pavarësia e Kosovës jo vetëm për shkak të qëndrimit të boshnjakëve e kroatëve, por pikërisht për shkak të qëndrimit të përfaqësuesve të Republika Srpska...” kishte deklaruar Crnadak.

Po kështu është shprehur edhe presidenti i Republika Srpska, Millorad Dodik.