Arbëri

Drejtori i AKI-së nuk shkon në Komision, reagojnë deputetët

Deputetët anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë janë mbledhur kot sot për të takuar stafin udhëheqës të kësaj organizate të rëndësishme për vendin. Por mbledhja është anuluar.

Kjo pasi që drejtori i AKI-së, Driton Gashi, tre minuta pa filluar takimi ka njoftuar se nuk dot ë jetë prezent në mbledhjen e Komisionit.

Pasi që Gashi nuk erdhi, atëherë mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së është anuluar.

Veprimin e drejtorit të AKI-së kryetarja e Komisionit Donika Kadaj-Bujupi e ka quajtur joligjor, pasi që siç tha ajo raportimi i drejtorit të AKI-së parashihet dhe me ligj e Kushtetutë, transmeton RTK.

“Ishte një veprim jo ligjor nga ana e drejtorit të AKI—së, i cili vetëm tre minuta para fillimit të Komisionit na njoftoi se nuk do të marrë pjesë në takimin njohës i cili parashihet me kushtetutë dhe me ligj. Ky veprim është neglizhencë dhe mos respektim i Kuvendit, por çka është edhe më shqetësuese është mos respektim i ligjit. Prandaj ne do ta thërrasim përsëri në raportim ashtu siç parashihet me ligj mirëpo kjo nuk është shenjë e mirë dhe nuk është fillim i mbarë për një institucion i cili ka rëndësi të veçantë për shtetin tonë. Dhe për një Komision i cili tejkalon dallimet e ngushta politike dhe partiake është shumë profesional dhe në të cilin sipas ligjit dhe kushtetues , zyrtarët e lartë të AKI-së , obligohen që të raportojnë në baza të rregullta”, tha Kadaj-Bujupi.

Ajo tha se nga AKI-ja, sot kishin ardhur në Komision, zëvendësdrejtori dhe inspektori gjë që sipas saj ky ka qenë takim i parë.

“Ishte zëvendësi dhe inspektori . Mirëpo ne e kemi ftuar në këtë takim dhe është konfirmuar ashtu siç parashihet edhe me ligj që të jetë drejtori i AKI-së i cili siç e thashë vetëm 3 minuta para mbajtjes së takimit na njoftoi se nuk do të marrë pjesë. Komisioni parlamentar është i obliguar me ligj dhe me rregullore të Kuvendit dhe Kushtetutë që të mbikëqyre punën e AKI-së dhe ky takim ishte takimi i parë në vazhdën e angazhimeve tona dhe realizimit të mandatit tonë kushtetues me qëllim që të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë me Agjencinë “, tha Kadaj - Bujupi.

Ajo tha se sot drejtori i AKI-së nuk ka dhënë ndonjë arsye për mungesën tij në takim. Por ajo tha se do të thërrasin prapë në raportim.

Ndryshe, Komisioni Parlamentar është në fillim të mandatit të tij, i cili mandat buron nga vendimi i seancës plenare të datës 03.tetor 2017-të . Lidhur me këtë , në bazë të depozitave të Kushtetutës së Kosovës, rregullores së Kuvendit dhe praktikës parlamentare , legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës nuk është vazhdimësi e legjislaturës së kaluar, por është përbërje e re dhe mandati i Kuvendit fillon nga mbledhja konstruktive e cila mbahet brenda tridhjete ditësh nga dita e shpalljes zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.

Në këtë aspekt , Komisioni parlamentar ka kërkuar të ketë një takim njoftues me menaxhmentin e AKI-së, si rezultat i përbërjes së re të Komisionit, i cili përbëhet nga 11 anëtar për dallim nga përbërja e legjislaturës së 5-të të Kuvendit që kishte vetëm 9 anëtar. Gjithashtu kjo krekës e Komisionit mbikëqyrës parlamentar është në funksion të promovimit dhe forcimit të raporteve në mes të AKI-së dhe Komisionit parlamentar.

Së dyti në bazë të ligjit për AKI-në, drejtori i AKI-së në mesin e shumë përgjegjësive, është gjithashtu i detyruar t’i përgjigjet , raportojë, Komisionit të AKI-së në bazë të kërkesës së parashtruar nga ana e tij, neni 5 para 7 pika e ligjit. Shtesë kësaj Komisioni parlamentar me qëllim të përmbushjes dhe avancimit të mandatit të tij mbikëqyrës , mund të urdhëroj drejtorin e AKI-së të paraqitet para tij në mënyrë që ai të jap raport gojor për aktivitete e AKI-së.