Arbëri

Bulliqi thotë se ish-komisioni shtetëror e ka ditur që Kosova po humb tokë

Descriptive Text

Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi sot ka raportuar para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane lidhur me gjetjet për demarkimin e kufirit Kosovë-Mal i Zi, transmeton Koha.net.

Bulliqi tha se më 13 tetor të këtij viti u është dhënë një detyrë të bëjnë një vlerësim lidhur me punën e ish komisionit.

“Kemi pasur për detyrë edhe gjetjen e fakteve të reja me analiza efektive ose kontroll efektiv. Për një muaj e gjysmë ka qenë edhe punë në terren për hulumtimin e materialeve brenda dhe jashtë vendit. Edhe ne jemi të brengosur për këtë proces, mirëpo po punohet në mënyrë efikase në mënyrë që të dalim me rezultate finale”, tha ai.

Bulliqi ka shtuar se për fat të keq nga ajo që është gjetur nga ish komisioni shtetëror, ka bazë krejt tjetër juridike.

“Komisioni Meha ka tejkaluar kompetencat e veta , sepse ka qenë i themeluar për demarkimin e jo vijë të re kufitare”, tha Bulliqi.

Raporti sipas tij nuk ka përfunduar ende, përveç disa çështjeve teknike rreth ish komisionit.

Për sa i përket ish komisionit shtetëror, Bulliqi tha se fare nuk është insistuar në kritere standarde, duke shtuar se ish-komisioni shtetëror e ka pasur në dispozicion këtë mundësi.

Sipas tij, në takimin e dytë që ish komisioni ka pasur me palën malazeze ka paraqitur dy variante të vijave kufitare. Kjo, sipas Bulliqit, dokumentohet në procesverbalin e këtij takimi që ai e ka prezantuar gjatë raportit para Komisionit për Integrime Evropiane.

“Komisioni kosovar shkoi në takim me dy vija kufitare, njëra vijë me 6889 hektarë që duhet t’i kthehen Kosovës, dhe në variantin e dytë me 543 hektarë”, tha Bulliqi.

“Kjo do të thotë se pala kosovare qysh në takimin e dytë e ka pasur të qartë se territori i Kosovës po humbet”, ka shtuar ai.

Tutje Bulliqi ka thënë para Komisionit për Integrime Evropiane se ish komisioni është thirr në Pako të Ahtisarit dhe ish komisioni Meha është dashur të veprojë me standarde ndërkombëtare.

“Jemi në shumë presione, në presion të kohës e mediave, nuk guxojmë të ngutemi për këtë raport sepse çështja është shumë serioze. Jemi shumë afër raportit përfundimtar me të gjitha të gjeturat dhe faktet”, tha Bulliqi, transmeton Koha.net.