Arbëri

Katër deputetë të VMRO-DPMNE-së pritet t’i bashkohen LSDM-së së Zaevit

Katër deputetë nga radhët e koalicionit të VMRO-DPMNE-së pritet ta braktisin ate dhe të kalojnë në radhët e koalicionit të LSDM-së. Lajmi bëhet i ditur për INA nga burime të deputetëve nga radhët e shumicës parlamentare.

Gjasat janë që të kalojnë tre deputetët e Partisë Socialiste të Lubisav Ivanov – Xingo, por edhe një ose dy deputetë të pakicave, serb dhe boshnjak.

Deri tani një deputet i koalicionit të VMRO-DPMNE-së, Çedomir Sazdovski ka kaluar si deputet i pavarur dhe se ai siç mësohet ka shprehur gatishmërinë për të përkrahur maxhorancën.

Nuk dihet se cili do të jetë pozicioni i PDSH, edhe pse flitej se kjo parti do të bëhet pjesë e shumicës, por edhe qeverisë.

Ndërsa Lëvizja Besa me 5 deputetët e saj nuk ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes së saj në shumicën parlamentare, ndërsa hapur ka shprehur përkrahjen për projekte që janë në interes të vendit.

Edhe kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se shumica parlamentare do të ketë në radhët e saj edhe deputetë të tjerë të opozitës që kanë shprehur përkrahjen dhe që pritet të ndodhë kalimi i tyre.