Arbëri

Komuna me shumicë serbe dhe Prishtina nuk i përgjigjen Ministrisë së Financave

Tetë organizata buxhetore nuk iu kanë përgjigjur Ministrisë së Financave në plotësimin e formularëve të vetëvlerësimit, në kuadër të kontrollit të brendshëm të financave publike.

Këtë e kanë bërë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Financave, gjatë prezantimit të raportit vjetor për funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2016, para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Kosum Aliu, drejtor i Departamentit Qendror Harmonizues në Ministrinë e Financave, paraqiti raportin, duke thënë se pyetësorët e vetëvlerësimit i kanë shpërndarë tek 108 organizata buxhetore, derisa kanë marrë përgjigje nga 100 prej tyre, kurse tetë nuk iu kanë përgjigjur ministrisë.

Në mesin e organizatave buxhetore që nuk iu kanë përgjigjur ministrisë janë edhe AKI-ja, komuna e Prishtinës dhe komunat veriore.

“Përgjigje kanë dhënë 100 organizata buxhetore, nuk janë përgjigjur 8 organizata buxhetore. Mund t’i përmendi cilat janë, Agjencia e Pyjeve të Kosovës, nuk është përgjigjur, mirëpo na kanë thënë se e kanë bërë pyetësorin me Ministrinë e Bujqësisë që është në rregull, AKI-ja për shkak të konfidencave të veta nuk e ka paraqitur, Komuna e Kllokotit, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe komuna e Prishtinës”, tha Aliu.

Megjithatë, Aliu u shpreh se janë të kënaqur me këtë pasi që 100 pyetësorë vetëvlerësues i kanë marrë dhe trendi i rritjes në këto dy-tri vite ka rezultuar që të jetë më mirë. Madje, me këtë rezultat ai thotë se është skeptik nëse është real.

“Kur e kemi bërë analizën e këtyre pyetësorëve vetëvlerësues ka dalë një notë shumë e lartë që personalisht unë jam skeptik që mund të jetë, sepse kur e krahasojmë me regjionin dalin shumë shtete që janë më ulët se ne në vlerësim. Realisht ka vend për përmirësim, mirëpo gjendja këtë vit ka qenë që ne kemi dal derë me derë në organizatat buxhetore dhe jemi munduar t’i përmirësojmë”, theksoi ai.

Ndërsa, zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, ka ngritur dy çështje kryesore të auditimit të brendshëm.

“Çështja kryesore në auditim është integriteti, personaliteti dhe pavarësia. Ne dy çështjet e para mund t’i shikojmë me përformancë të tyre, mirëpo çështjen e pavarësisë po e cakton ligji. Ligjet që janë në fuqi sot në Kosovë, ndash merreni ligjin mbi vetëqeverisjen lokale, ndash merreni ligjin mbi auditimin e brendshëm, tek auditorët i emërojnë menaxhmenti i lartë. Në qoftë se emëron menaxhmenti i lartë, atëherë menaxhmenti qeverisë me ta edhe menaxhon me ta. Zakonisht në praktikat evropiane auditorët e brendshëm caktohen prej bordeve të ndryshme ose kuvendet”, theksoi Gashi.

Ai shtoi se duhet të ndryshohen ligjet që emërimi i auditorëve të brendshëm t’i emërojë dikush tjetër, e jo menaxhmenti, pasi ata po jenë pastaj nën udhëheqjen e menaxhmentit.

Mirëpo, deputeti i VV-së, anëtar i këtij komisioni, Faton Topalli, e ka quajtur shkelje ligjore mospërgjigjen e organizatave buxhetore në pyetësorin e dërguar nga ministria.

“Ligji kërkon që ato të raportojnë, është kërkesë ligjore dhe përderisa nuk plotësohet kërkesa ligjore, është shkelje ligjore. Kështu që mendoj se është shumë skandaloze që vet organizatat buxhetore nuk i përgjigjen Ministrisë së Financave për çështjen e kontrollit të brendshëm. Kemi shumë probleme sa i përket kontrollit të brendshëm dhe të njëjtën kohë duhet të themi që këto probleme duke kërkuar të raportojnë, por duke mos kërkuar kurrë përgjegjësi prej tyre”, u shpreh Topalli.

Edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, theksoi se ligji për vetëqeverisje lokale, auditorin e brendshëm e lidh drejtpërdrejt me të parin e komunës, që është një tregues që auditori i brendshëm nuk e ka atë pavarësinë që duhet të ketë.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selamanj, ka paraqitur disa rekomandime që duhet të shkojnë në seancë bashkë me raportin.

“Rekomandimi i parë mund të jetë ndërmarrja e masave ndaj organizatave buxhetore që nuk i plotësojnë detyrimet ligjore për formularët e vetëvlerësimit, do të thotë të kuptojmë se cilat janë masat që merren ndaj atyre institucioneve, rekomandimi tjetër është funksionalizimi i njësive të auditimit në gjitha subjektet e sektorit publik, ngritja e kapaciteteve dhe mbajtja e trajnimeve për auditorët e brendshëm, njësitë e auditimit dhe komitetet e auditimit nga njësia qendrore harmonizuese e auditimit të brendshëm, përmirësimi i planifikimit vjetor strategjik i auditimit të brendshëm i bazuar me rrezik nga ana e njësisë së aludimit të brendshëm, përcjellja e zbatimeve dhe rekomandimeve për të vërtetuar se a janë marrë masat e duhura për të zbatimin e rekomandimeve në afatet e parapara nga njësia e auditimit të brendshëm”, tha Selmanaj.

Edhe deputetët tjerë patën lëvdata dhe kritika për raportin vjetor për funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2016. Megjithatë, në fund raporti bashkë me rekomandimet mori votat dhe u dërgua në seancë plenare për shqyrtim.