Arbëri

Ritheksohet përkushtimi i institucioneve të Kosovës për agjendën europiane

Prishtinë, 9 nëntor - Në takim me shefen e Zyres së BE-së/PPBE, znj. Nataliya Apostolova, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ia dorëzoi edhe formalisht kontributin e parë të institucioneve të Kosovës për Raportin për Vendin.

Ministrja Hoxha theksoi rëndësinë e Raportit për Vendin si instrument kryesor përmes të cilit Bashkimi Evropian do të matë progresin e arritur nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës që nga publikimi i Raportit të fundit, në nëntor 2016.

Njëkohësisht, Raporti do të identifikojë sfidat kyçe më të cilat ballafaqohen institucionet e Kosovës.

Ministrja Hoxha ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të çuar përpara agjendën evropiane.

Për të bërë vlerësimin real dhe faktik të zhvillimeve në Kosovë, institucionet e Kosovës kanë pranuar afro 1,500 pyetje nga Komisioni Evropian.

Institucionet do të kenë mundësinë e dytë që në muajin shkurt të dorëzojnë informatë shtesë lidhur me zhvillimet nga nëntori 2017 deri në shkurt 2018.

Raporti i Vendit për Kosovën do të publikohet në prill 2018.