Arbëri

Reshitaj në Tiranë, takon Metën e Klosin

Descriptive Text

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti sot në një takim Albena Reshitaj, Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Bajram Hasani, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë të Republikës së Kosovës.

Presidenti Meta i kushtoi një rëndësi të veçantë zhvillimit të projekteve të përbashkëta si dhe promovimit të ndërsjellë të resurseve mjedisore, kulturore dhe turistike të dy vendeve tona.

Meta nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ministrive homologe të Kosovës dhe të Shqipërisë në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit, me theks të veçantë në mirëmbajtjen e lumenjve dhe të hapësirave të tjera të përbashkëta.

Ministra Reshitaj, në kuadër të organizimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës e cila pritet të zhvillohet brenda nëntorit 2017, si dhe me qëllim të dakordimit për çështjet që do të diskutohen dhe vendoset në këtë mbledhje, në të mirë të dy shteteve, ka zhvilluar edhe një takim me homologun e saj shqiptar, Blendi Klosi, i cili u shpreh i lumtur që Reshitaj është e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

Krerët e të dy ministrive homologe biseduan rreth sfidave dhe projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit duke konfirmuar nënshkrimin e projekteve të përbashkëta në mbledhjen e ardhshme midis dy qeverive.

Klosi deklaroi që qytetaret andej dhe këtej Alpeve duhet të kenë mundësi të kuptojnë që ky është një mjedis i përbashkët, natyrë e përbashkët, është prona e kombit shqiptar e cila duhet të mbrohet, ndihmohet dhe mbështetet nga e gjithë qytetaria jonë.

Nga ana tjetër ministrja Reshitaj konfirmoi qëllimin e përbashkët për mbrojtjen e natyrës dhe shëndetit të qytetareve, duke vlerësua se mjedisi, natyra dhe ajri nuk njohin kufij, andaj kujdesi për mjedisin në përgjithësi është kujdes edhe për historinë, identitetin dhe trashëgiminë tonë të përbashkët.

“Duke qenë dy vende që kemi shumë resurse natyrore, të cilat meritojnë të studiohen, promovohen, mbrohen dhe t’iu ipet trajtim institucional përmes investimeve dhe projekteve të përbashkëta, ne do të punojmë në mënyrë dinamike në këto vlera, sidomos në zhvillimin e turizmit dhe menaxhimin e zonës ndërkufitare Kosovë-Shqipëri”, shto nder të tjerash Reshitaj.

Në fund të takimit të dy ministrat vendosën që së bashku të realizojnë një standardizim të lejeve mjedisore për problematikat e mëdha që kanë të bëjnë me ndotësit më të mëdhenj të mjedisit këtej apo andej Alpeve.

Palët u takuan vetëm pak javë para mbledhjes së përbashkët midis qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikë së Kosovës më 27 nëntor 2017.