Arbëri

Bashkatdhetarët po plaçkiten për mungesë të Kartonit të Gjelbër

Në Komisionin për Buxhet dhe Financa sot ka raportuar edhe ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti për raportin e punës së vitit 2016, ku ka vlerësuar se sektori bankar ka qenë mirë i kapitalizuar dhe vazhdon të jetë një sektor i shëndoshë.

Sipas tij, normat e kredisë kanë shënuar rënie nga 7.2 për qind krahasuar me atë që ishte 7.7 për qind në vitin 2015.

Mehmeti ka thënë se në vitin 2016 vlera e remitencave të pranuara ka qenë 691 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 3.8 për qind.

Mirëpo, anëtari i komisionit Naser Osmani ka thënë se BQK dhe institucionet e Kosovës nuk kanë përkushtim dhe iniciativë për të zgjidhur një herë e përgjithmonë çështjen e Kartonit të Gjelbër dhe të mos plaçkiten bashkatdhetarët tanë dhe mos të lavdërohet BQK me këtë shumë të madhe të rezistencave.

“Çështja e Kartonit të Gjelbër është bërë biznes goxha i madh për kompanitë e sigurimeve, sepse e kanë bërë të vetmin produkt mbi të cilin ato fitojnë. BQK faktikisht ka një lloj përgjegjësie të mbikëqyrjes, por konsideroj se është jashtëzakonisht e pa drejtë, sepse edhe që po lavdërohemi me remitenca nga bashkatdhetarët tanë, mos ta quaj plaçkë se është fjalë e rëndë, ne megjithatë i shfrytëzojmë, sepse asnjëherë nuk kemi arrit që atyre njerëzve me iu bë zgjidhje me këtë neglizhencë. Andaj, ku ka arrit BQK, me marrë një kod bankar ndërkombëtar, atëherë pse nuk mund të arrihet çështja e zgjidhjes së Kartonit të Gjelbër”, tha Osmani.

U. d. i Guvernatorit të BQK, Fehmi Mehemti iu është përgjigjur deputetëve se nuk janë duke qëndruar duarkryq për çështjen e Kartonit të Gjelbër. Sepse, sipas tij, janë duke shqyrtuar mundësinë që të veprohet sikur me rastin e kontrollit të hapësirës së lartë të Kosovës, raporton kp. 

“Është bërë aplikimi në vitin 2011 për me u bërë anëtare e Këshillit të Byrove, mirëpo në fund është thënë që nuk mund të bëhet Kosova anëtare përderisa nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Por, po them se aq sa na takon neve nuk kemi qëndruar duar kryq, duke u nisur prej faktit se unë personalisht kam qenë në Slloveni dhe jemi munduar që përmes këtij shteti ose kroatëve ta shesin Kartonin e gjelbër, ashtu siç është vepruar me hapësirën e lartë të Kosovës që është bërë përmes një kompanie hungareze. Mirëpo, në këtë rast na duhet edhe përkrahja e Qeverisë, sepse sllovenët janë pajtuar që këtë ta bëjnë për ne, mirëpo kërkojnë një garanci prej shtetit. Shpresoj se kjo do të ndodhë në ditët vijim”, theksoi Mehmeti.

Deputeti Enver Hoti nga Nisma, duke thënë se kjo vonesë po ndodhë që 17 vjet dhe sa herë të raporton BQK në Kuvend përsëritet e njëjta gjë për rastin e Kartonin e Gjelbër.

Po ashtu gjatë raportimit Mehmeti nga BQK ka thënë se parashikimi i normës së rritjes ekonomike sipas tij për këtë vit është 4.4 për qind.

“Për sa i përket parashikimeve makroekonomike për vitin 2017, parashikimet e BQK-së sugjerojnë se norma reale e rritjes ekonomike në këtë vit do të arrij në 4.4 për qind, bartës kryeso ri rritjes pritet të jetë investime të cilat parashihet të kenë një rritje prej 13.1 për qind. Kontribut të rëndësishëm në rritjen e investimeve pritet të ketë rritja e kredive bankare I shoqëruar me normat më të ulët të interesit në kredi, të cilat në vitin e fundit kanë shënuar një rënie të theksuar”, deklaroi Mehmeti.

Ai veçoi se është rritur konkurrenca bankare në vend.