Arbëri

Majko: Jemi dy shtete që përfaqësojmë një diasporë

Descriptive Text

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri u takua me homologun, Ministrin e Shtetit të Diasporës, Pandeli Majko.

Sipas komunikatës së dërguar nga Ministria e Diasporës, në këtë takim, dy ministrat biseduan për projektet që dy Ministritë do ti udhëheqin në të ardhmen në të mirë të diasporës shqiptare.

Pikënisja e takimit ishte dakordimi që diaspora shqiptare është unike dhe e pandarë, potenciali i së cilës duhet që të promovohet si dhe të shërbejë në avancimin e bashkëpunimit të mëtejmë mes institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe bashkatdhetarëve tanë.

“Jemi dy shtete që përfaqësojmë një diasporë. Duke thënë këtë, dihet që organizimi i diasporës bëhet bashkë, pavarësisht prejardhjes, dhe ky organizim ka rezultuar me një migracion shumë të suksesshëm”, theksoi Majko.

Gashi u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur që tashmë është një adresë ne Qeverinë e Republikës së Shqipërisë me të cilën do të intensifikohet bashkëpunimi në të mirë të diasporës, posaçërisht në ruajtjen e identitetit në diasporë, transmeton kp.

“Emërimi i Ministrit Majko është një lajm jashtëzakonisht i mirë për të gjithë shqiptarët, pasi që nuk mund të gjendet një figurë më unifikuese dhe është fat për mua të bashkëpunoj me z. Majko në të mirë të diasporës shqiptare. Na presin shumë punë së bashku, dhe pres me padurim që të fillojmë projektet e përbashkëta”, Gashi.

Gjatë takimit u diskutua edhe për tri marrëveshjet që presin të nënshkruhen në mbledhjen e dy qeverive më 27 nëntor në Korçë për bashkëpunim në fushën e diasporës dhe migracionit.