Arbëri

Dosja “Lumezi” – rruga e gabuar e sistemit të drejtësisë nisi në vitin 2000

Më 1 dhjetor të vitit 2000, Komisioni Konsultativ Juridik ishte mbledhur në takimin e radhës, për të vlerësuar punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilëve kontrata e punës 1 vjeçare u përfundonte më 31 dhjetor.

Detajet e këtij takimi ishin shënuar në një procesverbal nga njëri prej anëtarëve të Komisionit, Adil Fetahu, i cili i ka ruajtur ato në arkivin e tij personal, raporton Koha.net.

Që në nisje të takimit, Koordinatori i Komisionit, Riza Smaka, do të shfaqte shqetësimin se puna e Komisionit po neglizhohej, se Departamenti Administrativ i Drejtësisë i bashkëudhëhequr nga Sylvie Pantz dhe Nekibe Kelmendi, kishte larguar prej liste kandidatët e fortë, e në të kishte futur kandidatë të pakualifikuar.

Ai ishte kundërshtuar nga bashkëkryesuesja, Sylvie Pantz, e cila kishte thënë se e sheh të çuditshëm faktin që komisioni po ankohej pse Kouchneri nuk i kishte marrë për bazë të gjitha rekomandimet e tyre. Pantz kishte mbështetur plotësisht punën e Nekibe Kelmendit dhe se kishte thënë se ishte aty për të dëgjuar fakte nëse prokurorët e gjyqtarët e emëruar më 1999 dhe verën e vitit 2000, po e kryenin punën si duhet.

Ragip Halili ka qenë njëri ndër anëtarët e Komisionit që atë ditë kishte ngritur zërin, pasi kishte vërejtur se në raundin e dytë, ishin emëruar njerëz pa provim të jurisprudencës.

Halili ndonëse nuk ka dashur të flasë për ekipin e Kohavisionit dhe “Betimi për Drejtësi”, ka konfirmuar vërtetësinë e procesverbalit. Ai po ashtu ka thënë se kishte deklaruar atë kohë dhe e thotë sërish se pjesë e sistemit prokurorial dhe gjyqësor ishin bërë edhe persona që nuk e kishin fare provimin e jurisprudencës.

Edhe Shaban Kajtazi, i kishte kërkuar Përfaqësuesit Special të Kombeve të Bashkuara që nëse nuk pajtohej me rekomandime e Komisionit t’i kthente ato në rishqyrtim.

Bazuar në këtë procesverbal, 70 raste apo më shumë se 50 për qind e 139 kandidatëve të propozuar për pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit nuk u emëruan ashtu siç ishin rekomanduar.

-27 kandidatë ishin larguar prej listës së propozuar prej Komisionit.

-31 kandidatë ishin në listën finale pa u propozuar nga Komisioni.

-12 kandidatë ishin transferuar prej pozitës së gjyqtarit në atë të prokurorit ose prej një gjykate në një gjykatë tjetër, pa u konsultuar fare me komisionin.

Sidoqoftë atë ditë, ishte diskutuar edhe zgjatja e mandatit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kishin nisur punën më 1 janar të 2000.

Derisa vendorët kishin kërkuar shpallje publike për këtë, Sylvie Pantz, bashkëkryesuesja nga radhët e UNMIK-ut, kishte thënë se është mirë të mos zgjateshin procedurat me shpallje publike dhe menjëherë pas diskutimit ishte vendosur që 270 prokurorëve dhe gjyqtarëve t’u vazhdohej kontrata, fillimisht për 3 muaj.

Kopjet e këtij procesverbali, por edhe i gjithë dokumentacioni, sipas informacioneve, ndodhët në UNMIK, e në të cilat Kohavisioni ka kërkuar qasje.

UNMIK-u ka konfirmuar se është duke shqyrtuar kërkesën në përputhje me rregullat dhe rregulloret përkatëse lidhur me informacionin e tyre.

Një kërkesë të tillë i është bërë edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, nga i cili trup ende nuk ka përgjigje.