Arbëri

Rama: 18 qershori përcakton si do të jetë Shqipëria në 10 vitet e ardhshme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi mbrëmë në Top Channel se “18 qershori nuk përcakton se kush do të jetë fituesi në zgjedhjet e ardhshme, por se si do të jetë Shqipëria në 10 vitet e ardhshme”.

Kryeministri Rama u shpreh se “mbështetësit e PS e kanë të qartë që ne jemi me sytë nga 18 qershori dhe jo nga 18 shkurti”.

Gjithashtu kryeministri theksoi një fakt, i cili tha ai e bën shumë krenar. “Sot kemi një qeveri që ka 50 për qind burra dhe 50 për qind gra. Unë besoj që ky është një fakt që nuk meriton të lihet në harresë, por meqenëse në mjedisin tonë publik, aty ku bëhen thashetheme e konspiracione, nuk ka shans që një fakt i tillë të vlerësohet. Sot gratë shqiptare janë të përfaqësuara baras me burrat”.

I pyetur për shkarkimin e ministrit Tahiri dhe ministrave të tjerë, Rama u shpreh se, “Unë nuk e kam shkarkuar Saimir Tahirin, nuk kam shkarkuar asnjërin prej ministrave. Jemi sot në një moment kyç. 18 qershori nuk vendos vetëm kush fiton zgjedhjet, por edhe si do të jetë Shqipëria pas 10 vitesh. Saimir Tahiri nuk është shkarkuar asnjëherë për arsye të sulmeve të opozitës. Është ministri më i sulmuar. Janë mbi 1400 konferenca shtypi, statuse, sulme të shkruara nga PD, pra nga udhëheqja e PD dhe deputetët e saj mbi Saimir Tahirin dhe nuk është shkarkuar”.

Kryeministri theksoi se, “sot nuk kërkohet shkarkimi i Saimir Tahirit, sot ata që kanë dalë në bulevard kërkojnë shkarkimin e gjithë qeverisë. Kjo bëhet për të treguar dhe folur me njerëzit se përse meritojmë një mandat tjetër, sesi po luftojmë që të gjithë ata që kanë protagonistë të kësaj janë Ilir Beqaj, Saimir Tahiri, Blendi Klosi dhe Bledi Çuçi janë njerëzit që janë protagonistë për mirë apo për keq, këtë do ta gjykojnë njerëzit”.

Duke folur për zgjedhjet Rama tha se, “Fokusi im është tek 18 qershori jo 18 shkurti dhe ne po organizojmë fazën finale të një mandati, ku krahas detyrës së qeverisë pa asnjë boshllëk të kryejmë një detyrë shumë të madhe; të tregojmë çka kemi bërë dhe çka duam të bëjmë dhe çka rrezikon vendin në 18 qershor dhe për këtë arsye të marrim një besim edhe më të madh se ai i 2013 për të bërë shtet, për të pastruar sistemin e drejtësisë dhe për të hapur shtigje të reja punësimi e rritje ekonomike”.