Arbëri

Hasani: Deputetët e pozitës kanë stopuar demarkacionin

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka deklaruar se deputetët e pozitës, që janë shprehur kundër demarkacionit me Malin e Zi, janë shkaktarë që kjo marrëveshje nuk po ratifikohet.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se deputetët e pozitës janë të bindur se ky demarkacion nuk është i duhuri dhe me mungesën e votës së tyre nuk do të mund të ratifikohet demarkacioni.

“Ne jemi 87 deputetë të shumicës. Nëse ne do të ishim Për kjo moti do të ishte kryer, por derisa ne jemi të bindur që të mos votojmë, ai nuk do të kalojë. Pozita e ka ndal demarkacionin sepse nuk beson dhe nuk ka besuar në të. Asnjë deputet nga Peja nuk i beson këtij dokumenti të Komisionit Shtetëror”, ka thënë Hasani.

Ai ka kërkuar konsensus të gjerë politik në mënyrë që marrëveshja për demarkacion të shkojë në Kuvend.

“Unë për vete kam deklaruar se jam kundër këtij demarkacioni pa një konsensus të gjerë. Pa një konsensus rrezikohet konflikti”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Hasani thotë po ashtu se edhe nëse kalohet demarkacioni qytetarët e Kosovës nuk do të fitojnë liberalizimin e vizave, sepse Kosova nuk ka plotësuar kushtin tjetër të BE-së.

“Edhe nëse ratifikohet demarkacioni nuk hiqet liberalizimi i vizave. Nuk ka lëvizje në luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative në shoqëri. Kushti hiqet nëse ne luftojmë dukuritë negative”, ka shtuar ai.