Arbëri

Ish-sekretari i MeD-së thotë se Gashi e shkarkoi për hakmarrje, s’e la të blejë telefon 1 mijë eurosh

Më 2015-ën, Osman Shahini ishte emëruar sekretar i përhershëm i Ministrisë së Diasporës, në kohën kur ministër ishte Valon Murati.

Murati e Shahini ishin miq të vjetër, si dhe bashkëpartiakë në Lëvizjen për Bashkim, por vetë Shahini thotë se si sekretar, nuk erdhi si mik e as si bashkëpartiak i Muratit, por si profesionist.

Një ditë pasi u pezullua nga puna nga ministri i tashëm, Dardan Gashi, për performancë të dobët, Shahini thotë se ministri ka bërë shkelje të ligjit duke e emëruar si sekretare të përhershëm një punëtore të thjeshtë, siç është sipas tij, Shyhrete Gosalci.

Shahini thotë se prej momentit kur ka ardhur në këtë ministri, performanca është rritur, derisa ka treguar se ka ulur në minimum shpenzimet e panevojshme, duke kursyer buxhetin e shtetit.

Ai tregon një fakt se si ministri Gashi vetëm dy ditë pasi mori pozitën, kishte kërkuar blerjen e një telefoni në vlerë prej 1 mijë euro.

Shahini është i bindur se Komisioni Disiplinor do të vendosë në favor të tij, meqë sipas tij, ministri ka bërë supozime të paqëndrueshme në letrën përmes së cilës i është drejtuar kryeministrit për pezullimin e tij.

KTV-ja ka pyetur ministrinë për të gjitha çështjet që ka deklaruar Shahini.

Këshilltari politik i ministrit Dardan Gashi, Kreshnik Berisha, në një përgjigje për KTV-në ka thënë se Shahini nuk mund të jetë personi i duhur për të bërë vlerësime.

Aktualisht, z. Osman Shahini është në procedurë disiplinore. Zv. kryeministri Gashi e ka pezulluar nga detyra në bazë të gjetjeve të Auditorit të Brendshëm dhe atij të Jashtëm që theksojnë shkeljet gjatë mandatit të z. Shahini në detyrën e sekretarit të Ministrisë. Sidomos, raporti i fundit i auditorit të brendshëm është shqetësues, kurse sa për shkeljet ligjore nga ana jonë, të pretenduara nga z. Shahini, besoj ai nuk mund të jetë personi i duhur për ta bërë këtë vlerësim. Madje, disa nga vendimet e z. Shahini janë dhe objekt hetimi nga Policia e Kosovës”, ka thënë Berisha për KTV-në.